Basketboll

RAHOVECI FITON DERBIN E XHIROS, VAZHDON KRIZA TE PEJA

Prishtinë(AsistiOnline) – Rahoveci e ka fituar derbin e xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës ndaj Pejës.

Skuadra ‘vreshtare’ ka triumfuar në shtëpinë e saj, ”Mizahir Isma” në Rahovec me rezultat final, 79-59.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte më e niveluar me Rahovecin që fitoi çerekun e parë, 12-7, ndërsa i dyti i takoi ngushtë Pejës, 17-18 dhe skuadrat shkuan në pushim me epërsi të lehtë të Rahovecit, 29-25.

Në pjesën e dytë, Rahoveci i ‘shtrëngoi’ dhëmbët’ dhe arriti që ti fitojë dy periodat vendimtare(27-19, 23-15), për ta fituar ndeshjen me rezultat tejet të thellë.

Individët më të dalluar në fitoren e Rahovecit sonte ishin: i rikthyeri në ekip Darrell Davis që ishte fantastik 30 pikë, 8 kërcime, 7 asiste e 2 vjedhje topash, ndihmuar edhe nga Arian Qallaku me 16 pikë e Amadi Ikpeze që shtoi 8 sosh.

Te Peja me lojë të mirë u dalluan: Brandon Walters me 22 pikë, A.J Walton me 16 pikë e Leron Dendy me 13 sosh.

Pas këtij triumfi, Rahoveci arrin në kuotën e 37 pikëve dhe në vendin e 3-të me 14 fitore e 9 humbje. Ndërsa, Peja mbetet e 4-ta me 35 pikë, 12 fitore e 11 humbje.

Në xhiron e radhës, Rahoveci i shkon Prishtinës e Peja e pret Ponte Prizrenin.

/AsistiOnline.com/

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.