Basketboll

PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS A TE FEMRAT – PO VAZHDON PËRGATITJET PËR EVROPIAN

Përfaqësuesja e femrave A tash e disa ditë ka filluar stërvitjet për tu përgatitur për ndeshjet në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian të Shteteve të Vogla, që do të zhvillohet në Qipro.

Rreth atmosferës në ekipi në ditët e para të stërvitjeve ka folur përzgjedhës Fidan Shatri. “Çdo fillim është motivues, sidomos kur bëhet fjalë për Përfaqësuesen e Kosovës, entuziazmi është maksimal, si nga vajzat e Përfaqësueses ashtu edhe për stafin. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që po i mbrojmë ngjyrat e shtetit dhe kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ngjyrave të shtetit mundohemi që ta japim maksimumin”.

Tutje Shatri ka folur edhe për pritshmërive rreth këtyre ndeshjeve. “Tash është viti i dytë dhe është thyer akulli për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare. Besoj që këto ditë që i kemi në dispozicion deri në udhëtimin në Qipro do të mundohemi që të përgatitemi sa më mirë për pjesëmarrje”, ka thënë Shatri për faqen zyrtare të FBK-së.

Vashat dardane zhvillojnë katër ndeshje për gjashtë ditë dhe sipas Fidan Shatrit ky ritëm i ndeshjeve mundet të shkaktojë vështirësi.

Këtë vit në listën e gjerë të Përfaqësueses janë ftuar edhe disa lojtare të reja që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit. “Lista është baza e vitit të kaluar, pasi që edhe vitin e kaluar jemi munduar që ta kombinojmë listën me lojtarë të vjetra të cilat ndër vite kanë kontribuar në basketbollin e femrave dhe lojtareve të reja. Po mendoj që kjo ecje nga viti i kaluar dhe ky vit të jetë një themel i një baze të Përfaqësueses që të jetë në kontunitet edhe viteve të ardhshme”.

Synimet e Kosovës janë të qarta: “Synimet janë që të punojmë, përgatitemi dhe paraqitemi sa më mirë. Çdo trajner kërkon qe te jetë sa më i suksesshëm me kombëtare, por për këto synime do t’i flasim pas përfundimit të kampionatit”, është shprehur tutje trajneri Shatri.
Në fund ka edhe një mesazh për vashat dardane. “Mesazhi për vajzat të cilat janë të ftuara është që të japin maksimumin, pasi që duhet të krenohen që përfaqësojnë ngjyrat dhe flamurin e shtetit duke u paraqitur sa më mirë në këtë Kampionat Evropian, ndërkaq për tifozët Dardanët, shpresojmë të kemi përkrahjen e njëjtë si vitin e kaluar edhe këtë vit”.

Vashat dardane në vitin e kaluar janë stolisur me medaljen e bronztë, në pjesëmarrjen e tyre të parë në gara zyrtare të FIBA-së.

Ndeshjen e parë Kosova e zhvillon më 28 qershor me Maltën, pastaj më 29 qershor ballafaqohet me Andorrën. Më 30 qershor Kosova do të zhvillojë ndeshjen e parafundit me Qipron, kurse ndeshjen e fundit e zhvillon më 2 korrik ndaj Norvegjisë.

Komentet janë të mbyllura.