Basketboll

Mujo Thaçi emërohet kryetrajner i kampioneve të Izraelit

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri nga ish-basketbollistët më të mëdhenj shqiptarë, Muhamed Thaçi po tregon suksese të mëdha tash edhe në rolin e trajnerit.

Muja ka marrë drejtimin e kampioneve të Izraelit te femrat, Elitzur Ramla, ekip ky që vetëm pak ditë më parë e fitoi titullin e kampionit të këtij shteti.

Muja në stinorin që sapo u la pas ishte asistent i parë i Daniel Gutt, derisa klubi izraelit sot ka njoftuar se ka ndarë rrugët me trajnerin e deritanishëm për t’ja besuar këtë detyrë shqiptarit nga Ilirida, Muhamed Thaçi.

Menaxhmenti i Elitzur Ramla njofton nënshkrimin me Mujo Thaçin si trajner kryesor. Thaçi shërbeu si ndihmës trajner sezonin e kaluar, bëri një punë të shkëlqyer dhe drejtuesit e gjetën atë të përshtatshëm për të shërbyer si trajner kryesor. Nuk kemi asnjë dyshim se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer”, shkruan njoftimi i klubit.

Menagjeri gjeneral i klubit të Ramla, Nissim Ron ka reaguar poashtu pas emërimit të Mujës si trajner i ekipit.

Muja Thaçi u zgjodh të jetë trajner i ekipit pasi dëshmoi aftësitë e tij në Haifa dhe sezonin aktual në Ramla, dhe duke qenë pjesë e pandashme e kampioneve të Ramlës në një sezon shumë sfidues. Thaçi është një trajner i talentuar dhe motivator i madh. Trajnerit iu është besuar ekipi për sezonin e ardhshëm që përfshin: Kampionatin, Kupën e Shtetit dhe Kupën e Evropës. Do t’i urojmë suksese”, citohet të ketë thënë Ron.

Elitzur Ramla sivjet fitoi titullin dhe Superkupën e Izraelit e në Kupë u mposhtën në finale.

Vlen të ceket se Elitzur Ramla është prej skuadrave më të suksesshme në basketbollin izraelit të femrave me 13 tituj kampioni, 6 Kupa, 8 Superkupa dhe 1 EuroCup.

Të kujtojmë se basketbolli izraelit llogaritet prej më të fortëve në Evropë, ku shumë skuadra të tyre luajnë rregullisht në Evropë, derisa buxheti i tyre është shumë i madh.

/AsistiOnline.com/

Mund të jetë një imazh i 5 persona

 

Komentet janë të mbyllura.