Basketboll

Te Bashkimi nuk e kapërdijnë lehtë eliminimin nga Superkupa, priten ndryshime të rëndësishme

Prishtinë(AsistiOnline) – Humbja e hershme dhe dëshpërimi i dukshëm nga Superkupa e Kosovës, si duket nuk do të kalojnë lehtë tek klubi i Bashkimit.

Nikoqiri i turneut të Superkupës u eliminua qysh në çerekfinale duke u mposhtur nga Golden Eagle Ylli dhe kësisoj mbylli garën me dëshpërim të madh pasi pritje sikurse brenda klubit ashtu edhe nga tifozët ishin të mëdha.

Megjithatë, duket se kjo paraqitje në Superkupë ka qenë këmbana e fundit për akterët kryesorë të Bashkimit që nuk kishin treguar asnjë rezultat edhe në ndeshjet përgatitore para fillimit të edicionit të ri.

AsistiOnline.com ka mësuar se te Bashkimi veçse kanë nisur ndryshimet, e ku sipas të gjitha gjasave i pari që do të preket nga këto ndryshime është qendra amerikane MJ Rhett, i cili nuk ka treguar aspak performanca të mira gjatë ndeshjeve përgatitore dhe çerekfinales së Superkupës.

Rhett nuk pritet të jetë largimi i fundit i lojtarëve nga Bashkimi, por sipas informacioneve të AsistiOnline.com, hiç të sigurtë qëndrimin në krye të shtabit teknik nuk e ka as trajneri Darko Raduloviq, por që ju është dhënë edhe pak kohë për të arritur rezultatet e pritura.

Drejtuesit e Bashkimit sivjet kanë investuar për një ekip që do të luftojë për të gjithë trofetë, por me gjithë këtë fakt, një sinjal jo i mirë ka ardhur nga Superkupa e Kosovës, ku Bashkimi nuk ishte as afër objektivit dhe kjo sigurisht që nuk do të kalojë lehtë dhe pa ndryshime e që sigurisht se do jenë serioze.

Mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim se cilat do të jetë zhvillimet në kampin portokalli e AsistiOnline.com do të ju mbajë të informuar. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.