Basketboll

Ekskluzive: Edhe Vëllaznimi përforcohet me një lojtar nga NBA G League

Vëllaznimi i Gjakovës ka bërë një lëvizje të rëndësishme në përgatitjet finale për Superligën e Kosovës dhe Ligën Unike.

AsistiOnline.com ka mësuar se gjakovarët kanë nënshkruar me amerikanin Jacob Young.

Young, i lindur më 21 shtator 1997 në Houston të Teksasit, është një fundor i gjatë 1.88 centimetra i gjatë.

Karriera e tij kolegjiale përfshin përfaqësimin e universiteteve prestigjioze si Texas, Rutgers dhe Oregon. Në sezonin e tij të fundit me Oregon Ducks, Young luajti në 35 ndeshje, duke shënuar mesatarisht 12 pikë, 3.4 asistime dhe 2.9 kërcime për ndeshje.

Pas përfundimit të karrierës kolegjiale në vitin 2022, Young u përpoq të siguronte një vend në NBA, por nuk u përzgjodh në draftin e atij viti. Megjithatë, ai vazhdoi karrierën e tij profesionale në NBA G League, duke luajtur për disa skuadra, përfshirë Memphis Hustle, Texas Legends, Maine Celtics dhe së fundmi Windy City Bulls. Gjatë sezonit 2023-2024 me Windy City Bulls, ai luajti në 20 ndeshje, duke regjistruar mesatarisht 4.9 pikë, 2.2 kërcime dhe 1.9 asistime për ndeshje.

Përvoja ndërkombëtare e Young përfshin një periudhë me Halcones de Ciudad Obregón në Meksikë gjatë vitit 2023, ku në 8 ndeshje shënoi mesatarisht 7.5 pikë për ndeshje.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.