Basketboll

Basketbolli kosovar në pritje të zhvillimeve konkrete, gushti pritet ti rikthejë ekipet në parket

Me hyrjen në muajin gusht, në basketbollin kosovar po zbutet heshtja verore dhe pritet të fillojë faza e përgatitjeve për sezonin e ri.

Disa nga klubet e elitës pritet të nisin stërvitjet në gjysmën e dytë të këtij muaji, ndërsa te disa prej tyre tashmë janë në fazat e para të formimit të skuadrave.

Megjithatë, jo të gjitha klubet po ecin me të njëjtin ritëm. Disa prej tyre – përfshirë edhe emra të mëdhenj të basketbollit vendor – ende nuk e kanë kompletuar as 20% të punës për ndërtimin e rostit për sezonin e ri, duke lënë shumë paqartësi për mënyrën se si do të paraqiten në kampionat.

Mbetet të shihet nëse klubet tona do të arrijnë të përgatiten me kohë dhe të jenë konkurruese, sidomos në arenën ndërkombëtare ku përfaqësimi është tejet i rëndësishëm për basketbollin kosovar.

Federata e Basketbollit të Kosovës pritet të konfirmojë së shpejti zyrtarisht fillimin e edicionit të ri të Superligës, por sipas të gjitha gjasave, sezoni i ri do të nisë në fillim të tetorit. Ndërkohë, ndryshe nga vitet e kaluara, Superkupa e Kosovës, që tradicionalisht zhvillohej si hyrje simbolike në sezonin e ri, me gjasë nuk do të luhet në fillim, por mund të zhvendoset për një datë të mëvonshme.

Klubet kosovare, përmes njoftimeve dhe prezantimeve sporadike, po paralajmërojnë një sezon ambicioz – me përforcime, plane afatgjata dhe objektiva të qarta. Por sa do të përputhen këto me realitetin, do ta dëshmojë vetëm sezoni i gjatë që na pret. E veçanërisht, rezultatet në garat evropiane do të jenë një pasqyrë e qartë e nivelit të vërtetë të përgatitjes dhe profesionalizmit që e karakterizon basketbollin tonë.

Për tifozët dhe dashamirët e sportit, gushti është muaji i shpresave dhe spekulimeve – ndërsa tetori do të na japë të vërtetën në parket. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.