Basketboll

Shqipëria U20 mposhtet me 94 pikë dallim nga Serbia, e pabesueshme se sa pikë shënoi për dy çerekë

Kombëtarja U20 e femrave e Shqipërisë ka përjetuar një humbje të rëndë sot në Kampionatin Evropian të Divizionit B, që po zhvillohet në Miskolc të Hungarisë.

Vajzat kuqezi u mposhtën nga Serbia me rezultat të thellë 116-22, një disfatë që nxori në pah diferencat e mëdha në nivel mes dy ekipeve.

Shqipëria shënoi vetëm 2 pikë në çerekun e dytë dhe 2 të tjera në të tretin, duke kaluar pothuajse 20 minuta lojë me një total prej vetëm 4 pikësh të realizuara, ndërkohë që Serbia vazhdimisht shtonte epërsinë në shifrat e frikshme.

Kjo ishte humbja e dytë për Shqipërinë në këtë Evropian e përballja me një kundërshtar të nivelit të lartë si Serbia tregoi realitetin e hidhur të mungesës së përgatitjes dhe thellësisë në këtë sport.

Pavarësisht kësaj disfate të turpshme në rezultat dhe në lojë, Shqipëria ka ende dy ndeshje për të zhvilluar në fazën grupore. Nesër vashat kuqezi do të përballen me Bullgarinë. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.