Basketboll

FBK paralajmëron klubet: Për licencim duhet që 10% e të buxhetit të ndahet për gjeneratat e reja

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka shpallur zyrtarisht hapjen e aplikimit për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit për edicionin garues 2025/26.

Nga ky institucion thonë se ky proces zhvillohet në përputhje me Rregulloren për Licencim dhe Garim dhe përfshin pesë kritere bazë që çdo klub duhet t’i plotësojë: sportiv, financiar, ligjor, etik dhe disiplinor, administrativ dhe i personelit, si dhe infrastrukturor. Për secilën kategori licence (A, B, C apo D), janë përcaktuar kërkesa të detajuara që klubet duhet t’i dokumentojnë.

RISI PËR EDICIONIN 2025/26

Një nga ndryshimet kryesore në këtë edicion është obligimi për klubet e Superligës së Meshkujve që të ndajnë minimum 10% të buxhetit vjetor për zhvillimin e gjeneratave të reja. Po ashtu, ato duhet të dorëzojnë një program vjetor trajnimi për grupmoshat U10 deri në U18, në përputhje me udhëzimet e FBK-së.

Një tjetër risi e rëndësishme është zbatimi i politikave të mbrojtjes së fëmijëve. Klubet janë të obliguara të emërojnë një person përgjegjës për këtë fushë dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në trajnimet përkatëse, në përputhje me politikat e miratuara nga FBK.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të licencimit është 4 shtator 2025, dhe të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në format fizik në zyrat e FBK-së.

Urojmë dhe shpresojmë që klubet t’ju përmbahen tërë këtyre kushteve dhe FBK të tregojë rigorozitet të madh në zbatimin e tyre, pasi në letër janë shumë pozitive. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.