Basketboll

Presidentja e Maqedonisë pas thirrjeve antishqiptare në Kumanovë: “Të turpëruar nga urrejtja”

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar pas incidentit të rëndë me thirrje antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë që u zhvillua fundjavën e kaluar në Kumanovë. Ajo tha se si popull ndihen të turpëruar nga mesazhet e urrejtjes të bërtitura nga tifozët vendas.

“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që për fat të keq po përsëritet shpesh, me të drejtë nuk ndalen reagimet për incidentin e tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë — por në të vërtetë, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten”, ka shkruar presidentja në një reagim në Facebook.

Siljanovska Davkova theksoi se vendi nuk duhet të lejojë që arenat sportive të shndërrohen në skena urrejtjeje, ndërsa shtoi se mësimet për sjellje sportive dhe mënyrën e brohoritjes duhet të fillojnë nga familja dhe shkolla. “Ne kemi nevojë për një alfabet të ri të brohoritjes si shprehje e kënaqësisë sportive”, ka theksuar ajo.

Në këtë ndeshje, tifozët maqedonas u dëgjuan duke brohoritur thirrje të rënda antishqiptare si: “Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, slogane që lidhen me retorikën fashiste dhe naziste. Ato u shprehën në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë.

Thirrjet nxitën reagime të forta edhe në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur hetime për të verifikuar nëse janë përmbushur elementet e një vepre penale që lidhet me nxitje të gjuhës së urrejtjes.

Komentet janë të mbyllura.