Basketboll

VLLAZNIM PERANI PËR ASISTI-ONLINE: JETA E TIJ PRIVATE DHE BASKETBOLLI

Prishtinë(AsistiOnline) – Ndër basketbollistët më të mirë të gjeneratave të paraluftës në basketbollin e Kosovës, padyshim që ishte edhe Vllaznim Perani e që për gjeneratat më në moshë, është ende është kujtim shumë i freskët pozitivisht.

Veterani prishtinas që luajti basketboll në vitet më të vështira në Kosovë, atëherë kur vendi ynë ishte nën-administrimin jugosllav, Vllaznimi së bashku me shokë, ushtroi aktivitetin e tij basketbollistik dhe nuk u ndal asnjëherë e pas pensionimit si lojtar aktiv, asnjëherë nuk ju largua basketbollit, duke ju përshkushtuar punës si trajner e ku sukseset nuk i munguan dhe që vazhdojnë edhe tash.

Perani që në vitin 2005 e udhëhoqi suksesshëm, KB Prishtinën, por u largua i pakënaqur me zhvillimet në klubin kryeqytetas, tash në një intervistë ekskluzive për AsistiOnline.com, flet për jetën e tij private, por edhe shumë gjëra të cilat lidhen me basketbollin.

___________________________________________________________________________________________________

Cfarë po bën aktualisht Vllaznimi, me çka po merret, nëse mund të na tregosh më shumë detaje për jetën dhe veprimtarinë tënde, sepse opinonit në vendin tonë i intereson të kuptojë për një njeri që i dha shumë basketbollit të Kosovës?

Përshëndetje nga Qyteti Olimpik, Innsbruck! Prej 2008 unë jam me angazhim në 2 fronte, si ”Shipment Manager” te kompania e njohur për ndërtime të skilifteve, ”Leitner Ropways” dhe për basketboll si HC dhe Youth coordinator te Swarco Raiders. ”Swarco Raiders” janë të njohur në Austri me programe bisegmentale ku femijët kanë mundësi ti provojnë: ”American Football” (500 femijë në të gjitha kategoritë & Basketball, 250 fëmijë me tendencë në rritje). Raiders janë të njohur me akademinë e ”American Football” e cila funksionon në kuadër të një ”Sportschule“ ku të përzgjedhurit vijojnë paralelisht shkollën dhe në sport i kanë të obliguara 10 treningje në javë, të specializuara për ”American Football”. Seksioni i basketbollit është në biseda me një Gjimnaz sportiv në Innsbruck për hapjen e akademisë së basketbollit, unë për momentin e kryej detyrën e ”Development Coach” dhe U-18 HC, dhe herë pas here si coordinator në bankinën e ”Raiders” Bundesliga 2”.

Sa po mund ta përcjellësh basketbollin e Kosovës dhe a beson që kemi të ardhme në basketboll?

”Për fat të keq shumë pak në kohët e fundit, sipas mundësive në internet( i fokusuar më shumë në Euroleague ?). Pse jo, realisht Kosova mundet me pas të ardhme të mirë, ka potencial në rini, duhet të fokusohen në punë afatgjatë dhe profesionale… I keni strukturat, me shkolla të basketbollit… Me prezentime në Kupa evropiane, U16, U18, U20. Me prezentime të denja me reprezentacionin në kualifikime EU dhe botërore. Si dhe me prezentimet e suksesshme të Prishtinës në kupat evropiane”.

A mendoni që është bërë progres në basketbollin e Kosovës, apo në fakt e kundërta, regres në tërë këto vite, që janë gjithsej 20 të tilla që nga paslufta dhe prej që nuk gjendeni prezent ju në Kosovë?

”Ndoshta është dashur më shumë me u fokusu në seleksionim më të mirë me ”Youth Programm“ ndoshta me krijimin e akademive që i ceka ma parë, si p.sh Austria është e njohur me gjimnazet e sporteve të dimrit, www.schigymnasium-stams.at ”Schigymnasium Stams”, dmth Gjimnazi i ulët, mosha 10 deri në 14 vjet dhe Gjimnazit të lartë, mosha 14 deri në 19. Ku punojnë profesionistët, pedagogët dhe bëhet orientimi i tyre drejt sportit profesional pa u neglizhuar planprogrami mësimor. Ky do të ishte një propozim i imi që të hapen gjimnaze sportive në çdo qytet të Kosovës, ku do të bëhet selektimi dhe orientimi mirëfilltë për çdo sport, sipas talentit dhe prirjes dhe natyrisht pa ngecje në procesin mësimor”.

Ku mendoni se janë ngecjet e basketbollit kosovar, të cilat nuk po na lejojnë të bëjmë hapa të mëdhenjë drejt fuqizimit?

”Mendoj që nuk u shfrytëzua euforia e pasluftës ku ishin sallat përplotë të mbushura me trajnerë eminent nga Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria. Hendikep ishte: mospranimi i federatës në institucionet e ndryshme evropiane, si dhe mospërfshirja e ligjeve të sponzorizimit mospërfshirja e trajnerëve eminentë në punën me të rinjë në klube, dmth moskyçja e tyre në programet për mosha të reja në klube. I vetmi i cili la gjurmë në këtë aspekt ishte trajneri i mirënjohur, Boris Kurtovic. Natyrisht nuk dua ta mohoj punën e të gjithë trajnerëve vendorë të cilët me ato mundësi që patën krijuan lojtarë vendorë, të cilët tani e bartin barrën kryesore në klubet e tyre”.

Këtë muaj, Përfaqësuesja e Kosovës i luan dy ndeshjet e radhës para-kualifikuese për FWC 2023, ndaj Sllovakisë dhe Islandës. A mendoni që mund të ketë sukses në këtë kampanjë për Botëror?
”Jam plotësisht i bindur dhe shpresoj që do të mbesin në atë pozitë. Do të jetë e vështirë ndeshja kthyese në Islandë. Për më tutje nuk e di, të shohim. Ju dëshiroj suksese ekipit të Kosovës, selektorit dhe Federatës”.

Një mendim tuajin, rreth Ligës mbarëkombëtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë që pritet të jetësohet nga sivjet. A mendoni që është ide e qëlluar, a do të funksionoj dhe cili duhet të jetë fokusi kryesor i Federatave shqiptare në këtë ligë?

”Kjo është ide shumë e qëlluar dhe besoj që do të funksinoj. Shpresoj që do tu jepet lojtarëve vendorë më tepër hapësirë, si dhe të angazhohen lojtarë të huaj që janë më të mirë për një klasë se vendorët, mundësisht jo më shumë se 3 për ekip. Por, kisha pas dëshirë që krahas të funksionon edhe liga për grupmoshat e reja”, tha në fund, Perani.
/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.