Basketboll

‘SALLATA’ E QUAJTUR, NDËRRIMI I TRAJNERËVE

Prishtinë(AsistiOnline)Çështja e trajnerëve në basketbollin e Kosovës, tashmë është bërë një temë në shumë aktuale e cila kërkon analizë të thellë, se pse po ndodhin ndryshime të shumta dhe të vazhdueshme në shtabet teknike të klubeve kosovare.

Ende pa përfunduar stinori i rregullt në Superligën e Kosovës te meshkujt, plotë 15 trajnerë kanë ‘defiluar’ sivjet në klubet tona e këto ndryshime të shumta nga komuniteti dhe opinioni i basketbollit kosovar, po shihen si të dëmshme të ngutshme dhe aspak të qëlluara.Ku në fakt qëndron problemi? AsistiOnline.com e ka shtjelluar këtë tematikë, duke kontaktuar me disa prej njohësve më të mëdhenjë të basketbollit të Kosovës të cilët më parë kanë luajtur aktivisht me shumë sukses, ndërsa ushtrojnë edhe rolin e trajnerëve poashtu me shumë sukses.Trajneri më i trofeshëm në basketbollin e Kosovës, Arben Krasniqi i ka kritikuar ndryshimet e shumta nga klubet tona në shtab teknik, por edhe në lojtarë dhe gjëra të tjera, duke shprehur pakënaqësi të mëdha me çasjen e tyre e cila po e dëmton basketbollin.

Në basketbollin tonë kane defiluar 15 trajnerë dhe me siguri një numër shumë më i madh i lojtarëve të huaj. Gabimin unë e shoh ne organizimin e klubeve dhe në qëllimet afatshkurta të tyre. Secili klub në Superligë ka hyrë në garë duke menduar se mund ta fiton kampionatin, mirëpo nuk e kanë të qartë se nuk jepen 8 kupa në fund. Vetëm nje ekip mund të shpallet kampion. Dështimin në organizim dhe në një punë sistematike klubet tona mundohen ta mbulojne me pruarje të trajnerëve dhe lojtarëve të huajë. Me keqardhje duhet të ceket se në raportin e fundit të migrimit të lojtarëve të publikuar nga FIBA, Kosova renditet në pozitat e para sa i përket rekordit negativ në proporcionin e importit dhe eksportit të lojtarëve dhe trajnerëve. Poashtu njollë e zezë janë edhe dënimet e shqiptuara nga BAT, tribunali për moskryerjen e obligimeve nga ana e klubeve tona, ndaj lojtarëve dhe trajnerëve të cilët kane pasur FIBA-kontrata.

Një problem tjetër, është çasja e klubeve e cila është shume e gabuar në rradhë të parë, sepse siç e ceka më lartë, klubet tona fatkeqësisht nuk kanë vizion dhe strategji të qartë të zhvillimit afatgjatë të klubeve. Ka përjashtime, mirëpo është mjaftë shqetësuese se klubet funksionojnë me një numër të vogël të anëtarëve, apo më mire të themi, ”one man show”. Poashtu është shqetësuese që sponzorët jane duke ndikuar në marrjen e vendimeve sportive, gjë që është e paimagjinueshme në një komunitet modern sportiv. Qasja e klubeve pra është e gabuar dhe tejet nënçmuese për trajnerët vendorë dhe për këtë arsye një numër i trajnerëve vendorë edhe përkundër ofertave nuk dëshirojnë që të punojnë në këto rrethana.

Trajnerët e huaj të cilët vijnë të punojnë këtu, duhet që ti përmbushin kriteret për trajnerët e huaj të cilat janë aprovuar nga bordi i Federatës në vitin e kaluar. Ka trajnerë të cilët janë profesionistë dhe të cilët kanë përvojë te madhe, siç është rasti me trajnerin e Trepçës i cili është duke bërë punë mjaftë të mirë.

Mirëpo kjo ardhje e shpeshtë e trajnerëve është në rradhë të parë qesharake, turpëruese për basketbollin tonë dhe nuk sjell as kualitet, as ngritje të cilësisë së basketbollit në vendin tonë”, tha Krasniqi i cili së fundmi e udhëhoqi skuadrën e Yllit.

Kritika për çasjen ndaj trajnerëve vendorë dhe se si po menagjohet me klubet kosovare, ka edhe ish-basketbollisti i spikatur dhe tash trajner shumë perspektiv, Muhammed Thaçi.

Problemi është se klubet tona, nuk ja konsistente dhe për kohë shumë të shkurtë kërkojnë rezultate. Për të ndërtuar një ekip dhe për ta futur në sistem loje, duhet më shumë kohë, durim dhe shansë. Por më kryesorja duhet buxhet. Trajnerët e rinjë shqiptarë nga Kosova nuk i kanë shanset e duhura, por shkel e shko dhe me shumë mangësi për atë s’kanë arritur suksese edhe pse te disa s’kanë munguar sukseset. Shembull është Ponte Prizreni, trajner vendor 2-3 vite dhe tash ka ardhur koha për rezultate. Dhe më e keqja është se klubet e dijnë që këta të rinjë s’kan ku të shkojnë, çka do që ndodhë, prapë i kanë aty. Dmth si ”golden substitution” ose gjokera.

Në Kosovë kanë ardhur në 20 vitet e fundit, trajnerë kualitativë si rasti i Dokuzovskit, Kurtoviç, Bevanda, Greenberg i Kombëtares, por puna e tyre s’ka qenë me ndërtu lojtarë, por me u bë kampion i Kosovës që në këtë rast, nuk është diçka që të sjellë benefite. Është nënçmuese edhe për 4 klubet e para të sjellin trajnera si ata që i kanë sjellur këtë vit, bile bile njëri nga ta ka qenë trajner i katër klubeve. Mendoj se këta trajnera që kanë ardhur si zëvendësime nuk janë më të mirë se ne, apo se djemtë tanë, por klubet tona nuk ju japin ”full power”, liri, bile bile as edhe respekt jo të mjaftueshëm trajnerëve vendorë.

Trajnerat që kanë ardhur sivjet përveç trajnerit të Trepçës që ka qenë trajner në Superligen e Turqisë, këta tjerët jan ose asistenta ose trajnera në liga më të dobëta se liga e Kosoves, thjeshtë shumica janë anonimusa, video skautera, ose asistenta të dytë. Më vret fakti dhe parashtroj një pyetje, kur ama kur Maqedonia do të marrë trajnera kosovarë, kur Kroacia do të marrë trajnera kosovarë, kur Greqia do të marrë trajnera kosovarë? Asnjëherë, asnjëherë, asnjëhere. Prandaj më mirë të investojmë tek njerëzit tanë” u shpreh Muja.

Në lidhje me ndryshimet e shumta të klubeve kosovare së fundmi, ka folur edhe një ish-lojtar i madh dhe trajner që tash jeton dhe vepron në Austri. Vllaznim Perani e sheh si shumë dëshpëruese punën e klubeve në raport me trajnerët vendorë, por edhe lojtarët që kanë pak hapësira dhe të gjitha këto sipas tij, po ndikojnë negativisht në basketbollin e Kosovës.

Unë nuk jam drejtpërdrejt i kyçur në ngjarje, por sa po më lejon koha duke i përcjell mediumet e shkruara dhe ato televizive, kisha me thënë se kjo çka po ndodh për momentin është shqetësuese për baskebollin e Kosovës. Është për tu çuditur kjo tendencë e shkarkim – ”ngarkimit“ dhe rokadave të trajnerëve në këtë kohë pandemie, ku sporti në gjithë botën luhet në këto kushte të jashtëzakonshme, pa shikues, pa plane afatgjata, por po më duket se udhëheqësit e klubeve po mundohen me çdo kusht duke i bërë këta hapa të arrijnë rezulatate të pa mundura për kohë të shkurtë… po humbet kontinuiteti, qëllimi dhe caku… këtu po pësojnë lojtarët vendorë (të paktë) dhe poashtu të huajtë të cilët janë gjithmonë me biletë kthyese në gjepa e mos të flasim për lojtarët e rinjë të cilët kanë shumë shumë pak hapësirë, sa për të mos thënë fare.

Unë besoj në trajnerët vendorë  dhe jam i bindur se nëse ju jepet hapësirë, kohë dhe durim se me siguri do të dëshmohen siç janë dëshmuar në të kaluarën. Ky është gabim në hapa i cili qon në rrugë qorre. Klubet po gabojnë dhe po i nënçmojnë trainerët vendorë e sidomos në rastet kur nuk gjejnë trajnerë me ”emër“ nga jashtë e ju japin ”hapsirë“ trajnerëve të rinjë vendorë sa për sy e faqe.

Përveç kolegut, Davitkov (me të cilin kemi qenë kundërshtarë si lojtarë) i cili ishte i dëshmuar si trajner në Maqedoni të tjerët nuk i njoh personalisht, por vetëm nga mediat. Sa janë profesionistë s’kisha dashur që të paragjykoj, sepse edhe atyre ju nevojitet kohë më e gjatë për tu dëshmuar. Edhe ata janë të hendikepuar, sepse e kanë shumë vështir për kohë të shkurtë të komponojnë ekipin e që herë, herë nuk kanë as çasje në caktimin e rosterit. Apo si u pa me trajnerin e ri nga Zara, Franko Sterle i cili u vendos para aktit të kryer në ndeshjen e fundit të Bashkimit në Mitrovicë”, tha krejt në fund, Perani.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.