Basketboll

DY TRAJNERE NGA SHBA NË KOSOVË NË PËRKRAHJE TË BASKETBOLLIT FEMËROR

Prej 16 deri më 21 maj 2019 në Kosovë do të qëndrojnë dy trajnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Ruthie Bolton dhe Chineze Nwagbo.

Ardhja e tyre është mundësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Departamenti i Shtetit Amerikan në Uashington në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Qëllimi i vizitës së tyre është shprehja e përkrahjes për vajzat e reja që e praktikojnë basketbollin, sensibilizimi i opinionit në Kosovë në mbështetje të sportit femëror, në këtë rast basketbollit, por edhe motivimi i përfshirjes së komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë në klubet kosovare të basketbollit.

Për këtë arsye Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës do të organizojnë kampe për vajzat e reja deri në moshën 16 vjeçare në Graçanicë, Mitrovicë, Prizren, Ferizaj dhe Rahovec.

Dy trajneret amerikane do të vizitojnë edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku me këtë rast do të takohen me kryetarin Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Dushku në vitin 2017 ka qëndruar për 6 javë në SHBA në kuadër të programit të Departamentit të Shtetit Amerikan “Global Sports Mentoring Program” dhe në fund të këtij programi ajo e ka paraqitur një Plan të Veprimit për fuqizimin e femrës në sport, të cilin plan tani në bashkëpunim me FBK-në, FIBA-n, Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë dhe Departamentin e Shtetit Amerikan në Uashington është duke e implementuar.

Ruthie Bolton është ish-lojtare e ligës më të fortë të basketbollit në botë për femra, WNBA. Ajo ka luajtur për Sacramento Monarchs, 2 herë ka marr pjesë në WBNA All Star, ka luajtur për kombëtaren e SHBA-ve në Kampionat Botëtor dhe në Lojërat Olimpike, ku edhe ka fituar medalje.

Ndërkaq pas përfundimit të karrierës si basketbolliste, Bolton ka filluar punën si trajnere për ekipe të ndryshme në SHBA, derisa ajo është shumë aktive në programet e Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe është trajnere në kampet e skuadrave më të njohura në NBA, siç është Golden State Warriors.

Chineze Nwagbo, ish-basketbolliste krahas në SHBA ajo ka luajtur në mënyrë profesionale për shumë vite edhe në Evropë, pastaj në Brazil, Kili, derisa katër është shpallur MVP në ligat ku ka luajtur, kurse ajo e ka edhe një paraqitje në Kampionatin Botëror me vendlindjen e saj, Nigerinë.

Aktualisht Chinny punon për NBA në Kinë, në programet bazë të NBA si Junior NBA programet, pastaj për kampet zhvillimore të Basketbollit Pakufij, derisa ka punuar edhe për Atlanta Hawks, NY Knicks, Washington Wizards, si dhe për National Basketball  Players Association. Ajo ka marr pjesë gjithashtu edhe si ligjëruese, trajnere dhe profesoreshë për Departamentin e Shtetit Amerikan, më saktësisht për Zyrën për Arsim, Çështje Kulturore, Programe të Diplomacisë, që është dizajnuar në përpjekje për të bërë bashkë të gjitha bashkësitë globale.

Duhet theksuar se ky është vetëm një nga projektet e shumta që i kanë implementuar deri më tani së bashku. Federata e Basketbollit të Kosovës dhe Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.

Projekti i radhës do të realizohet në muajin qershor kur një grup prej 20 personave do të udhëtojnë për në San Antonio të SHBA-ve, dhe më pas në muajin shtator një grup prej 20 personave nga SHBA do ta vizitojnë vendin tonë.

Komentet janë të mbyllura.