Basketboll

EKSKLUZIVE: KENAN SPAHIU RRËFEHET PËR ASISTIONLINE, KU DO TË LUAJ VITIN E ARDHSHËM?

Prishtinë (AsistiOnline) – Njëri ndër basketbollistët më të mirë kosovar aktualisht në tregun botërorë, Kenan Spahiu ka folur në intervistë ekskluzive për AsistiOnline, duke rrëfyer të tashmen dhe të ardhmen e tij, si basketbollist profesionist me karrierë të jashtëzakonshme që ka arritur deri më tani.

Spahiu që karrierën profesionale e nisi në skuadrën me renome në basketbollin turk, Tofaş, në tre stinorët e fundit mbrojti ngjyrat e njërës nga ekipet më të mëdha në basketbollin turk, Besiktas dhe paraprakisht ka luajtur për gjigantin tjetër turk Fenerbahçe, si dhe Pinar Karsyiakan. Spahiu është po ashtu reprezentues i Turqisë.

Kenan Spahiu, aktualisht po qëndron në Kosovë për pushime, ndërsa me gjithë kohën e limituar ai nuk e harron asnjëherë basketbollin kosovar, por as prejardhjen nga vjen.

Ai në Kosovë erdhi i shoqëruar nga basketbollisti tjetër i njohur, alo-qendra Ilkan Karaman, që vitin e kaluar mbrojti ngjyrat e skuadrës nga Izmiri, Pinar Karsiyaka dhe të cilin opinioni kosovar e njeh nga përballjet me Z Mobile Prishtinën në kuadër të FIBA Europe Cup.

Së bashku, Kenani dhe Ilkani janë duke u stërvitur individualisht me trajnerin më të trofeshëm në basketbollin kosovar, Arben Krasniqin.

Në Kosovë kam ardhur qe disa ditë, po kaloj shumë mirë, si zakonisht. Këtu janë njerëzit e mi, familja , shokët e fëmijërisë dhe natyrisht, sa herë që vijë kalojë shkëlqyeshëm. Kosova është vendlindja ime dhe kënaqësia, atmosfera kur vij këtu është më e veçantë” tha ekskluzivisht për AsistiOnline-in, Kenani duke u shprehur krenar me prejardhjen e tij kosovare dhe se kudo që shkon e mbanë në zemër.

Lidhur me planet e së ardhmes, ai tregoi se sivjet i ka përfunduar kontrata me Beshiktashin dhe më nuk është i interesuare të luajë aty.

T’ju them të drejtën, kontrata me Besiktasin më ka skaduar. Dua të provojë aventura të reja jashtë Turqisë. Nuk jam i interesuar për të luajtur sivjet në Turqi. Dua të zbuloj për juve se karrierën dua ta vazhdojë në Spanjë. Por si mundësi janë dhe disa oferta nga Gjermania. Ofertat janë tejet serioze, por së pari dua të pushojë pas një sezoni të gjatë që kam pasur me Besiktasin. Sa i përket vazhdimit të karrierës, përparësi dua ti jap ligës spanjolle, pasi që dihen kualitetet e kësaj gare, por asgjë nuk ka definitive dhe pres të përfundojë pushimin dhe pastaj do të vendosim se ku do të vazhdojmë” tha kampioni i Evropës për Junior në vitin 2013 me Turqinë dhe njëherësh MVP-i i atij kampionati.

Me kërkesën e trajnerit më të suksesshëm evropian të gjitha kohëve, Zheljko Obradoviqit, në vitin 2013, si 18 vjeçar, Kenani u transferua si supertalent dhe yll i kombëtares turke nga Tofashi në Fenerbahçe Ulker dhe debutoi në Euroleague ndërsa me shumë modesti, për AsistiOnline-in shprehet se është i gatshëm që në Kosovë të kontribuojë në çfarëdo mënyre që i jepet rasti.

Siç e dini në Kosovë, vijë shpesh. Jam i gatshëm që në çfarëdo mënyre ta ndihmojë basketbollin e Kosovës me përvojën time. Sidomos të rinjtë të cilët janë të shumtë në numër me talentin për basketboll”.

Së bashku me Kenanin për pushime në Kosovë ka ardhur edhe basketbollisti i suksesshëm turk, Ilkan Karaman që luan tek skuadra e famshme turke, Pinar Karsyiaka dhe i cili po ashtu menaxhohet nga Kemal Spahiu, vëllau i Kenanit.

Shtatëlarti i cili ishte pjesë e Karsiyakës në përballjen e sivjetme kundër Prishtinës, tregoi se në Kosovë vjen shpesh dhe me shumë kënaqësi. Ai tregon se në Kosovë vjen së bashku me shokun e tij të ngushtë Kenanin për pushime porse këtë herë arsyeja e vizitës ndryshon. “Në Kosovë kam ardhur me shokun tim Kenanin dhe si gjithmonë, kalojmë shumë mirë sepse Prishtina është një qytet fantastikë, me njerëz të shkëlqyer. Por, kësaj here pushimet i kemi kombinuar me punë. Aktualisht po ushtrojmë individualisht së bashku me një trajnerë shumë profesionalë si Arben Krasniqi dhe po kalojmë shumë mirë” tha Karamani për AsistiOnline.

Lidhur me të ardhmen e tij, alo-qendra e vitit në superligën turke dhe i draftuari në NBA ku të drejtat e tij i mbanë Cleveland Cavaliers, sikurse edhe Kenani shprehet se karrierën do ta vazhdoj në Evropë. “Siç e dini, së fundmi kam luajtur tek Pinar Karsyiaka madje në FIBA Europe Cup kemi pasur rival nga Kosova, Prishtinën. Sa i përket karrierës sime, sivjet e kam mbyllur aventurën në Turqi dhe besoj se nga sezoni i ardhshëm do të luajë në një prej ekipeve të mëdha gjermane, nuk dua ta emëroj skuadrën përderisa nuk zyrtarizohet marrëveshja ” u shpreh Karaman.

Intervistën e zgjeruar me Kenanin dhe Ilkanin, me trajnerin e tyre Arben Krasniqin dhe menaxherin Kemal Spahiun, do të mund ti ndiqni të hënën me fillim nga ora 19:00 në ASIST, në kuadër të emisionit të vetëm në mbarë mediet shqipe që i kushtohet ekskluzivisht basketbollit.

Pra, premiera është të hënën nga ora 19:00 në Art Sport 1 dhe platformën më atraktive në vendin tonë, Artmotion ndërsa ritransmetimi është dhjetë minuta pasmesnate në Klan Kosova.

Duhet theksuar se këtë të hënë ASIST-i do të jetë shumë –shumë special sepse përveç intervistave ekskluzive me Kenanin dhe Ilkanian, mysafirë në studio do të jetë edhe kryetari i FBK-së Arben Fetahu me të cilin do të bisedohet për anët pozitive dhe mangësitë e kampionatit të sivjetmë, aktivitetet e reprezentacioneve të Kosovës këtë verë dhe organizimin e Eurobasketit U-20 të Divizionit B për Femra, që do të mbahet në Prishtinë.

Ajka do të vjen në fund, në kuadër të bllokut të paralajëmruar javë më parë, RETRO –ASIST, këtë javë rikujtojmë njërin prej ASISTA-ve më të shikuara të gjitha kohëve:
In Memoriam – Drazhen Petroviqi

ASIST-i këtë verë do të rifreskoj memorien e adhuruesve të basketbollit që janë rritur dhe plakur me basketboll, duke filluar me episodin e vitit 2003, të prodhuar asokohe me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes tragjike të Amaduesit të basketbollit evropian: Drazhen Petroviqit.

E kemi zgjedhur këtë të hënë me 10 Qershor pasi që të premten e cila kaloi, me 7 Qershor, janë mbushur saktësisht 26 vite nga vdekja tragjike e Drazhenit.

Komentet janë të mbyllura.