Basketboll

SI PERFORMUAN SHQIPTARËT NË EVROPË, GJATË VIKENDIT

AsistiOnline.com ju sjellë ekskluzivisht një përmbledhje të paraqitjeve të lojtarëve kosovarë apo me prejardhje kosovare nëpër ligat e huaja evropiane, gjatë këtij vikendi që shkoi.

Performancën më të mirë nga lojtarët kosovarë që luajnë nëpër ligat e huaja, këtë vikend e pati, basketbollisti therandas, Gëzim Morina i cili luan në elitën e basketbollit slloven me “Hopsi Polzela”. Morina për 24 minuta të luajtura në parket, realizoi double, double fenomenal, prej 18 pikësh e 12 kërcime.

Paraqitje të denjë në vikend, me ekipin e tij nga elita hungareze, Egis Kormend, pati edhe basketbollisti tjetër i Përfaqësueses kosovare, Erjon Kastrati i cili për 24 minuta lojë, në fitoren e ekipit të tij, kontribuoi me 13 pikë, 5 kërcime e 1 asistim

Një basketbollist tjetër me prejardhje kosovare, është edhe 19 vjeçari Jan Palokaj që ka lindur në Kroaci, por edhe ka luajtur për grupmoshat e reja të Kroacisë dhe sivjet po luan me ekipin e parë të Zadarit në elitën e Basketbollit të Kroacisë. Palokaj këtë vikend me Zadarin ka luajtur plotë 30 minuta, duke pasur paraqitje fenomenale me 13 pikë, 8 kërcime e 5 asistime.

Basketbollisti me nën-shtetësi finlandeze dhe me prejardhje nga Kosova, Edon Maxhuni, këtë xhiro me ekipin spanjoll, Gran Canaria B, arriti që për 25 minuta në parket, të realizoj 9 pikë, 4 asiste e 3 kërcime.

Një tjetër basketbollist me prejardhje kosovare që me shumë sukses po luan në basketbollin spanjoll, është Kenan Spahiu që luan në Superligën Spanjolle me ekipin e Betisit, dhe në këtë xhiro ai, për 23 minuta qëndrim në parket, ka realizuar 8 pikë, 4 asistime e 1 kërcim.

Në Ligën e parë të Gjermanisë, luan edhe një basketbollist tjetër me prejardhje nga Kosova. Bëhet fjalë për Mirsad Hazirin, që luan me ekipin “Kirchheim” e që këtë xhiro, Haziri fatkeqësisht nuk pati minutazhë nga trajneri.

Në anën tjetër, qendra-gjigante e Përfaqësueses së Kosovës, Lis Shoshi mbetet ende i lënduar dhe nuk e ka zhvilluar ende asnjë ndeshje me ekipin e ri nga Superliga Gjermane, S.Olivier Wurzburg.

Kjo listë e botuar ekskluzivisht nga AsistiOnline.com vlen vetëm për lojtarët seniorë që po luajnë me ekipet e tyre, të dhënat e lojtarëve janë nga java e fundit e zhvilluar dje e pardje.

Nëse keni informacione për lojtarë të tjerë që paraqiten me ekipe të ndryshme në Evropë dhe Botë, lirisht na kontaktoni në mesazhe dhe ne do të paraqesim informacione të përjavshme edhe për ta.

Komentet janë të mbyllura.