Basketboll

KB VLLAZNIA – E SHEH VETEN SI KLUB EVROPIAN NË TË ARDHMEN

Prishtinë(AsistiOnline) – Vllaznia e Shkodrës, është ndër ekipet më serioze në kampionatin shqiptar të basketbollit dhe me organizimin që ka përbrenda ekipit po synon suksese.

Shkodranët përpos garave në Shqipëri, sivjet po luajnë edhe në Ligën Ballkanike, në të cilën synojnë të marrin sa më shumë përvojë, sidomos për lojtarët e rinjë.

AsistiOnline.com ka realizuar një intervistë me sekretarin gjeneral të kuqebluve, Blendi Dibra duke folur për shumë gjëra të cilat kanë të bëjnë me ta dhe ndër temat ishte edhe krijimi i një lige mbarëkombëtare ku do të luanin ekipet shqiptare.

Z.Dibra si qëndron situata te Vllaznia në këtë fillim stinor dhe sa jeni të kënaqur deri tani me ekipin?

Vllaznia mbetet gjithmonë një klub “i dënuar” për të fituar trofe dhe si i tillë përgjegjësia në drejtimin e saj është jashtëzakonisht e madhe. Vllaznia është një klub i cili i ka dhuruar ndër vite sportit kombëtarë dhe ndërkombëtarë talente të cilët kanë bërë performanca të jashtzakonshme duke ndihmuar në fitimin e trofeve. Në kushte të tilla kur ne kemi ardhur në drejtimin e klubit basketbollit Vllaznia vetëm në Janar të vitit 2019 ndihemi të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e madhe që kemi në drejtim e këtij klubi me histori 100 vjeçare. Nga ana tjetër vështirësitë që ne përballemi janë nga më të voglat tek më të mëdhatë, në çdo nivel e në çdo drejtim duke mos na lejuar që rezultatet të shihen menjëherë. Piksëpari situata e infrastrukturës është alarmante dhe ekipet tona të Akademisë për femra dhe për meshkuj stërviten në kushte plotësisht jashtë standarteve bashkohore. Kjo ka bërë që prurjet në ekipet e para për meshkuj dhe femra të mos jenë në nivelin e dëshiruar. Për këtë arsye në ekipin e parë të femrave janë bërë dy afrime dhe në ekipin e parë të meshkujve 7 afrime. Ekipi i parë i femrave stërvitet nga ikona e basketbollit shqiptarë Bledar Gjeçaj me synimin për të hyrë në fazën playoff ndërsa në ekipin e parë të meshkujve sapo është larguar bullgari Nikolai Gospodinov dhe në vendin e tij është afruar kroati Vladimir Ivankovic. Synimi për ekipin e parë të meshkujve është pjesmarrja në fazën playoff me synim fitimin e titullit kampion. Rezultatet fillestare ishin të kënaqshme ku filluam me 3 fitore por ekipi filloi të humb ekuilibrat dhe si rezultat i kësaj u pasuan tre humbje të cilat sollën edhe dorëheqjen e trainerit Gospodinov”.

Cilat janë synimet e Vllaznisë, këtë stinor pasiqë dihet se po luani edhe në Ligën Ballkanike?

Siç e theksova edhe më sipër Vllaznia në basketboll për meshkuj synon pjesmarrjen në fazën playoff me synim fitimin e titullit kampion ndërkohë që në Ballkan Ligë kërkojmë të masim forcat me ekipet përreth rajonit duke fituar përvoja të cila do të na shërbejnë shumë në të ardhmen si dhe për ti dhënë mundësi më tepër sportdashësve tanë të shijojnë kompeticione ndërkombëtare”.

Ne cilen gare jeni fokusuar më shumë dhe a mendoni se do të mund t’ja dilni me të dyja frontet?

Në fakt ne shohim vetëm një front i cili është zhvillimi i basketbollit dhe krijimi i perspektivave të reja për brezin e ri që të shndrrojnë sportin në një urë të rëndësishme komunikimi dhe bashkpunimi ku të mësojn të respektojn kundërshtarin dhe të duartrokasin më të mirin. Sigurisht që si çdokush që merr pjesë në një garë ne duam të jemi më të mirët por i mirë bëhesh kur merr pjesë në sfida, kur mëson nga humbja kur eksperiencat e krijuara të ndihmojn të shohësh përpara në rrugën drejt suksesit”.

Planet e Vllaznisë, për të ardhmen? si dhe a do të jenë afatgjate, për të parë një klub të fuqishëm edhe në të ardhmen?

Po punojmë për një projekt afatgjatë ku suksesin ta shndrrojmë në promotor të nxitjes së të rinjve që ta duan dhe ta zhvillojn sportin e basketbollit. Në planet tona është investimi në infrastrukturë ku jemi në hapat e para për realizimin e një qendre sportive me tre fusha moderne basketbolli. Po ashtu jemi në kontakte te vazhdueshme me klube evropiane të basketbollit me të cilat po planifikojm programe binjakzimi në të gjitha nivelet ku përfshihen turnet sportive, shkëmbimet e lojtarëve, kualifikimi i trainerëve etj. Po sigurisht që ambicjet tona nuk mund ti realizojm të vetëm prandaj sytë dhe veshët janë të hapur për çdo partneritet publik dhe privat që kërkon të bashkangjitet duke besuar në projektin tonë”.

Dhe për fund, ju kemi parë tek flisni për krijimin e një lige mbarëkombëtare me Kosovën, cili është mendimi i krerëve të Vllaznisë në lidhje me këtë çështje, a mendoni se mund të realizohet?

Krijimi i Ligës Mbarëkombëtare besoj që tashmë është një domosdoshmëri. Ky projekt është krejtësisht i realizueshëm dhe vetëm me vullnet të përbashkët ne mund të shohim hapa konkret. Unë besoj dhe shpresoj shumë që ndeshjet në kuadrin e kësaj lige do kthehen në festa të bukura sportive ku sportdashësit jo vetëm të shijojnë spektaklin sportiv por edhe ti shfrytëzojn këto mundësi si pika takimi për shkëmbime të mëtejshme në të gjitha fushat duke forcuar në këtë mënyrë bashkpunimin ndërmjet tyre. Më lejoni të them pa zbuluar ndonjë sekret se kjo ligë ka dhënë prova se funksionon pasi që në kuadrin e Ballkan Ligës Vllaznia, Peja, Rahoveci po ndeshen ndërmjet tyre në atmosfera jashtzakonisht sportive dhe miqsore ku ka mbizotëruar spektakli sportiv. Prandaj natyrshëm lind pyetja, pse mos të gjejmë format e bashkpunimit për ta formalizuar këtë ligën mbarëkombëtare sa më shpejt?”, përfundoi intervistën ekskluzive për AsistiOnline.com, z.Dibra.

Komentet janë të mbyllura.