Basketboll

FBK DHE SHTBK PUBLIKOJNË UDHËZUESIN E TRAJNERËVE – NIVELI 1 NË GJUHËN SHQIPE

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK), në koordinim me Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) e kanë publikuar në gjuhën shqipe Udhëzuesin i Nivelit 1 i Asociacionit Botëror të Trajnerëve të Basketbollit (WABC). Ky Udhëzues, që në fakt përbën material trajnimi dhe certifikimi themelor të FIBA-s për të gjithë trajnerët e basketbollit, trajton të gjitha sferat kryesore të sportit të basketbollit, përfshirë, mes tjerash, shkathtësitë e basketbollit në mbrojtje dhe sulm, përgatitja fizike, roli dhe vlerat e trajnerit për zhvillim, menaxhim dhe udhëheqje të skuadrës, si dhe taktikat e strategjitë dhe analiza e lojës së basketbollit.

Përkthimi, shqipërimi dhe përshtatja në shqip e këtij publikimi është financuar nga FIBA dhe është realizuar nga trajneri i mirënjohur kosovar, Arben Krasniqi, ndërsa publikimi dhe shtypi i tij është financuar nga Departamenti i Sporteve të Kosovës (DSK) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), duke rikonfirmuar sërish përkrahjen institucionale për zhvillimin e basketbollit dhe avancimin dhe institucionalizimin e zejes së trajnerëve të basketbollit në Kosovë dhe duke i hapur rrugë procesit të trajnimit formal dhe licencimit të trajnerëve në vendin tonë.

Duke shprehur kënaqësinë e veçantë me përkrahjen që DSK/MKRS dhe FIBA i kanë dhënë Federatës në realizimin e këtij projekti të shumëpritur të saj, Kryetari i FBK-së Arben Fetahu ka thënë: “Procesi i shqipërimit të këtij libri është iniciuar si një nga kërkesat tona specifike për FIBA-n në fund të vitit të kaluar, duke qenë se atë e kemi konsideruar parakusht për zhvillimin e mirëfilltë të procesit të licencimit dhe krijimit të një sistemi të edukimit formal të trajnerëve të basketbollit që përbën prioritet të dorës së parë për FBK-në. Falë lejes së tyre për ta përkthyer këtë material të çmueshëm dhe financimit që na u akordua për këtë qëllim ne sot kemi një libër përmbajtësor për basketbollin në gjuhën shqipe që besoj se do t’u ndihmojë pa masë basketbollisteve e basketbollistëve dhe studentëve të kulturës fizike që duan t’i përvishen zejes së trajnerit, ndërsa për SHTBK dhe FBK libri do të shërbejë si mjet për edukimin dhe licencimin e trajnerëve kosovarë për Nivelin 1 dhe si bazë për edukimin e mëtejmë të tyre në nivelet më të larta. Pjesë e përkrahjes së FBK-së dhe partnerëve tonë për trajnerët e basketbollit është edhe përkthimi në shqip i Udhëzuesve të Asociacionit Botëror të Trajnerëve të Basketbollit të Nivelit 2 dhe 3 që aktualisht është në proces e sipër, ndërsa publikimi i tyre do të përfundojë gjatë vitit 2020 duke kompletuar kësisoj në gjuhën shqipe mbi 1000 faqe materiale edukuese për trajnerë të basketbollit dhe hapur rrugë për licencimin e trajnerëve tanë në të gjitha nivelet.”

Udhëzuesi i publikuar këtë javë do tu shpërndahet trajnerëve kosovarë nga Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës në koordinim me FBK-në gjatë muajit gusht.

Komentet janë të mbyllura.