Basketboll

LIGA UNIKE DHE DEBUTIMI I SHUMËPRITUR I SAJ: FLET DREJTORI DREN ZATRIQI

E shumëpritur nga komuniteti i basketbollit mbarëshqiptarë, porse a do të startojë sivjet?!

Prishtinë(AsistiOnline) – Liga Unike e basketbollit e krijuar sivjet në mes Kosovës e Shqipërisë, garë e cila që nga themelimi u mirëprit shumë pozitivisht nga i gjithë opinioni i basketbollit, por edhe i tërë komuniteti sportiv mbarëshqiptarë.

Kjo garë që u themelua në shtator të këtij viti në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, ka zgjedhur edhe strukturat drejtuese të saj dhe synon që nëpërmes tyre të krijojë një garë interesante basketbolli, mes ekipeve kosovare dhe atyre shqiptare.

Në fakt, krijimi i saj ishte pritur me kërshëri të madhe dhe me të drejtë ngjarjes ju ishte dhënë pompozitet i madh, për faktin se përpjekjet për një projekt të tillë ishin të kahmotshme dhe realizmi i i saj, sigurisht që është i një rëndësie të veçantë.

Ishte paralajmëruar se kjo garë do të startonte me ndeshje në fillim të muajit nëntor, por siç po shihet një gjë e tillë ende nuk është arritur, kjo për faktin se në Shqipëri nuk po lejohen aktivitetet sportive nga Qeveria e shtetit shqiptar, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19.

_______________________________________________________________________________________________________________________

Në një intervistë për AsistiOnline.com, drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi, ka folur për shumë gjëra të cilat kanë të bëjnë me këtë garë të shumëpritur nga shikuesit dhe të cilën mund ta lexoni si vijon.

———————————————————————————————————————————————————————-

Në pyetjen e parë, se a është e gatshme struktura organizative e Ligës, që të fillojë me garat, kur dihet që stinori i ri në shumicën e kompeticioneve rajonale dhe më gjerë, tashmë veçse ka filluar, Zatriqi u përgjigj kështu:

Që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Ligës Unike nga Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Federata e Basketbollit të Kosovës, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e edicionit të parë garues të Ligës Unike dhe normalisht që jemi gati për të filluar”.

———————————————————————————————————————————————————————-

Por, pse gjithë kjo vonesë në fillimin e garave të Ligës Unike dhe a ka ndonjë datë të saktë për fillimin e saj?

Rritja e numrit të rasteve të infektuar me COVID-19, ka ndikuar që kalendari i garave të Ligës Unike të modifikohet dhe të përshtatet në bazë të rekomandimeve shtetërore. Deri në këto momente kemi zhvilluar koncepte të ndryshme rreth fillimit të garave dhe ne jemi të gatshëm ti aplikojmë ato në momentin që na lejohet nga institucionet përgjegjëse. Andaj, bëj thirrje që të respektohen masat e vendosura nga Qeveritë tona dhe secili nga ne të kontribojmë në përmirësimin e gjendjes aktuale dhe ti kthehemi normalitetit dhe vikendeve tona të dashura me shumë spektakël dhe basketboll kualitativ”, thotë drejtori i Ligës Unike.

———————————————————————————————————————————————————————-

Por, në pyetjen se a mund të ndodhë që kjo garë të anulohet sivjet, apo do të luhet patjetër, pavaresisht vonesave, Zatriqi e dha këtë përgjigjje të prerë.

Edicioni garues 2020/2021 patjetër që do të luhet pavarësisht vonesave, mirëpo mund të pësojë ndryshime në formatin garues, varësisht nga gjendja e krijuar të cilën ne po e përcjellim dhe do të marrim një vendim shumë të drejtë, konform situatës”.

———————————————————————————————————————————————————————-

Është parë nga tereni se klubet kosovare janë bërë gati për startin në Ligën Unike, po klubet nga Shqipëria, sa janë shprehur të gatshme që të nisin garat, kur dihet se atje nuk po jepet leja për nisjen e aktiviteteve sportive.

Entuziazmi për pjesëmarrje në Ligën Unike është evident në të gjitha klubet pjesëmarrëse dhe në opinionin basketbolldashes mbarëshqiptarë. Nga vizita që kishim tek klubet nga Kosova, mund të them se të gjitha klubet janë të gatshme dhe me padurim po e presin pjesëmarrjen në këtë garë. Në anën tjetër, klubet nga Shqipëria po hasin në vështirësi në mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive, për shkak të masave parandaluese ndaj COVID-19 nga Qeveria Shqiptare. Por shpresoj që shumë shpejtë këto masa të zbuten dhe klubet nga Shqipëria të kenë mundësi të përgatiten sa më mirë për pjesëmarrje në Ligën Unike”, thotë ai.

———————————————————————————————————————————————————————-

Për fund, ju si drejtor i ligës, sa besoni se do të jetë e suksesshme kjo garë, kur dihet që po pritet me optimizëm të madh në opinionin basketbolldashës mbarëshqiptarë.

Padyshim se po. Vlen të ceket se Liga Unike që nga themelimi është konceptuar në baza të forta të bashkëpunimit në mes të dy Qeverive dhe Federatave: Me qëllim dhe vizion të qartë që synon të ofrojë mjedis konkurues për skuadrat pjesëmarrëse dhe zhvillimin e lojtarëve të rinjë në Shqipëri dhe Kosovë. Optimizmi i madh i krijuar në opinionin basketbolldashës në të dyja vendet, mirëpo edhe në diasporën shqiptare, anë e kënd botës është motiv shtesë për ne. Së këndejmi, Liga Unike në planin e saj zhvillimor parasheh edhe zhvillimin e projekteve tjera të karakterit gjithëpërfshirës dhe të promovojë, basketboll kualitativ gjatë tërë vitit”, përfundoi intervistën, Zatriqi.

———————————————————————————————————————————————————————-

Stafi i ASISTIT dhe AsistiOnline.com shpreson dhe beson që Liga Unike e basketbollit të fillojë sa më shpejtë me ndeshje dhe që sigurisht ne si emisioni dhe portali i vetëm në trojet shqiptare, dedikuar ekskluzivisht basketbollit, do ti qëndrojmë afër këtij projekti dhe do ju njoftojmë për të gjitha, risitë, zhvillimet dhe rezultatet e arritura nga kjo garë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.