Basketboll

STINORI VJESHTOR ‘TERS’ I VËRTETË, PËR TRAJNERËT E HUAJ NË SUPERLIGËN E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Stinori vjeshtor në Superligëm e Kosovës në Basketboll, nuk ka qenë aspak i ‘bereqetshëm’ për trajnerët e huaj, që sivjet kanë qenë të angazhuar në skuadrat kosovare.

Për një kohë të afërt mes vete, Dragan Radoviç, Neven Pllantak dhe Edi Xhelalija, janë shkarkuar nga skuadrat e tyre, prej të cilave kishin marrë besimin në fillim të stinorit, shkruan AsistiOnline.com

Rezultatet jo të mira dhe mos-arritja e objektivave fillestare, kanë bërë që drejtuesit e ekipeve tona, të mos mendohen shumë, por të marrin vendime për shkarkimin e ‘timonierëve’ të tyre, për faktin se ekipet nuk ishin brenda objektivave të caktuara në fillim të sezonit.

‘Vallen’ e shkarkimeve të trajnerëve sivjet e nisi, skuadra e Yllit nga Theranda që vetëm pas 7 xhirove të zhvilluara me humbjen e 2-të rresht e të tretën e stinorit, por kjo ka mjaftuar që drejtuesit e Golden Eagle Yllit të marrin vendim unanim për shkarkimin e trajnerit malazez, Dragan Radoviç të cilit, humbja e thellë nga Rahoveci në xhiron e shtatë, ia vuri ‘kapakun’ e serisë së zezë dhe ia tregoi derën e largimit.

Pozita e fundit në tabelë, pas 10 xhirove të zhvilluara me vetëm 2 fitore e 8 disfata të pësuara, Neven Pllantakut i kushtoi me shkarkim nga pozita e kryetrajnerit të Trepçës. 57 vjeçari me prejardhje nga Zara e Kroacisë u largua nga Kosova me shije të hidhur nga Kosova, për faktin se nuk arriti që ta këndellë Trepçën, as në stinorin e dytë rresht dhe ta largojë nga pozitat e fundit në tabelë.

POR NUK MBYLLET ME KAQ!

Në vigjilje të Vitit të Ri, pak kohë para se të mbyllet viti 2020, një shkarkim i papritur erdhi edhe tek skuadra e Pejës. Drejtuesit e ekipit verdhezi, njoftuan se kanë ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin kroat nga Shibeniku, Edi Xhelalija. Këtë të fundit, nuk e shpëtuan as 6 fitore radhazi në start të kampionatit, duke u përdorur si pretekst për shkarkim, 4 humbjet e pësuara, pas xhiros së 6, të cilat ia humbën Pejës, pozitën e parë në tabelë.

Tek Ylli, Radoviçi është zëvendësuar me trajnerin e njohur turk, Fatih Gezer. Përderisa, trajner turk pas shkarkimit të Pllantakut, ka emëruar edhe Trepça, që ka vënë në krye të shtabit teknik, Serhat Sehitin.

Ndërsa te Peja, ende nuk e kemi emrin e trajnerit të ri, që do ta zëvendësojë, kroatin Edi Xhelalija. Momentalisht atë po e zëvendëson ndihmësi i tij i parë, Petrit Zeqiri.

Përderisa janë shkarkuar 3 trajnerë të huaj, vendorët që udhëheqin me skuadrat kosovare, ende nuk e kanë shijuar ndonjë shkarkim edhe pse të ardhmes nuk i dihet dhe varësisht nga performancat e ekipeve të tyre, mund të kemi shkarkime edhe të trajnerëve vendorë e shpresojmë që kjo të mos ndodh fare, por gjithçka është në dorën e tyre.

Momentalisht me skuadrat kosovare, udhëheqin 5 trajnerë vendorë e 3 të huaj.

 

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.