KAPITENI IKONIK I PRISHTINËS PENSIONOHET I PËRLOTUR NGA BASKETBOLLI AKTIV
Prishtinë(AsistiOnline) – Çaste më parë skuadra e Sigal Prishtinës ka mbajtur konferencë për media me rastin e pensionimit të kapitenit legjendar të klubit, Edmond Azemi.
Gjatë kësaj konference folën për media, kryetari i klubit, Burim Maraj dhe kapiteni legjendar e tash drejtori gjeneral i Prishtinës, Edo Azemi.
Kryetari i klubit kryeqytetas, ishte i pari që foli për pensionimin e Edos, si dhe postin e ri që klubi do ti ofrojë me rastin e pensionimit.
”Kur jemi te suksesi, një emër të cilin nuk bën assesi ta harrojmë që padyshim është Edmond Azemi. Me të cilin kam pasur fatin që në një periudhë të shkurtë të luaj me të, në një periudhë shumë më të hershme, por edhe ta njoh për së afërmi gjatë këtyre viteve si kapiten i ekipit, dhe si bartës i lojës, andaj pa e zgjatur më shumë, përmes kësaj konference me një respekt dhe përulësi, kam kënaqësinë të njoftoj opinionin se që nga dje, Edmond Azemi karrierën e bujshme si lojtar do t’ia lë në duart e të rinjëve të këtij qyteti dhe vendit dhe do të vazhdojë rrugëtimin e tij të ri në kapacitetin e drejtorit gjeneral të klubit”, tha kryetari i Prishtinës, Burim Maraj.
Më pas, fjalën përshëndetëse dhe lamtumirëse e mori, kapiteni historik i Prishtinës, Edo.
”Mbrëmë kur kemi vendosur(fillon të qaj i emocionuar Edo), mbrëmë kur janë vendosur gjërat per organizimin e kësaj konference, isha shumë i emocionuar sepse isha prezent dhe krejt çfarë kam dhënë për këtë klub, nuk po dua të them që ”shymet”, por dua të vazhdojë në një mënyrë tjetër, si drejtues i klubit, bashkarisht me Presidentin dhe dy nën-kryetarët dhe dua ti falenderoj për besimin që më kanë dhënë dhe e respektoj. Për mua si lojtar nuk ka qenë e lehtë që ta lë basketbollin, besoni, sepse gjithmonë më pyetnin gazetarët se kur do ta lësh, por unë e shtyeja edhe 1 vit edhe 1 vit edhe 1 vit. Besoj që ka ardhur dita që me vendos të ardhmen time, me ndihmu klubin, me ju ndihmu të rinjëve, bashkarisht duke punuar në akademi të basketbollit dhe kam thënë edhe më herët që kurrë s’do ta lë Prishtinën. Posaçërisht atyre ditëve të vështira që kemi pasur me klubin, viteve të mëhershme, kur kam pasur oferta shumë më shumë prej klubeve tjera, kurrë s’kam dashur që ta lë Prishtinën, për shkak të Plisave(fillon të qaj përsëri Edo dhe kërkon falje për emocionet e shprehura), sepse normal suksesi jonë lidhet më së shumti me tifozët, kur kemi humbur, kur kemi fituar, gjithmonë kemi qenë bashkë dhe këto ditë nuk do të harrohen, por besoj që do të vije dita që kemi me krijuar edhe shumë më shumë. Unë zotohem që kemi me punuar me drejtësi të krijojmë një akademi dhe ti inkuadrojmë në seniorë lojtarët e rinjë dhe besoj që kemi për të pasur përkrahjen prej të gjithëve e të ngritemi edhe më larg së bashku”, u shpreh Edo krejt në fund.
Të kujtojmë se Edmond Azemi është basketbollisti e ndoshta edhe sportisti më i trofeshëm në historinë e sportit kosovar me plotë 36 trofe të fituar.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.