Basketboll

5SHJA NGA XHIRO 12 E UNIKES, NDËRSA MVP-JA I NJEJTI SIKUR NGA XHIRO 11!!

TRE LOJTARË NGA 5SHJA E KALUAR EDHE NË KËTË PESËSHE, DERISA EDHE MVP...

Prishtinë(AsistiOnline) – 1. D.DAVIS (PZ16), 2.A.QALLAKU (PEJ), 3.E.KASTRATI (YLL), 4.D.LEKNDREAJ (PEJ), 5.M.MAWIEN (RAH).

1. Plejmejkeri i xhiros 12 në Ligën Unike shpallet për të dytën herë rresht, transferi i ri i Prizrenit 16, Darell Davis i cili ishte individi i vetëm që e mbajti ekipin prizrenas në lojë përballë Pejës, duke realizuar dyshifror të dyfishtë me 31 pikë, 13 kërcime, 4 asiste, por shtuar edhe 1 asist e 1 vjedhje topi. Davis ishte 100% i saktë nga gjuajtjet e lira (8/8), kishte 10 dyshe nga 14 tentime, derisa shtoi edhe 1 treshe nga 6 tentime e me indeksin fenomenal prej +33 normalisht shpallet dukshëm plejmejkeri i xhiros në Unike.

2. Fundori i javës te Unikja këtë javë për herë të parë në AsistiOnline shpallet, Arian Qallaku i Pejës si një prej më të merituarve në fitoren e verdhezinjëve ndaj Prizrenit 16, duke qenë vetëm 2 kërcime larg shifrave magjike triple-double me 18 pikë, 10 asiste e 8 kërcime. Ariani shënimet i realizoi nga të gjitha pozitat, ku për dyshe i pati 5 të qëlluara nga 7 tentime, shtoi 2 gjuajtje të lira nga 3 tentime, derisa shtoi edhe 2 treshe nga 4 tentime. Kjo performancë i dha atij indeksin +27.

3. Në pozitën e alosë në xhiron e 12-të në Ligën Unike, për të dytën javë me rradhë mbetet ylli vendor i Yllit, Erjon Kastrati. Reprezentuesi i Kosovës pa mëdyshje ishte individi më i dalluar në fitoren e therandasve ndaj Kamzës që ju vulosi vendin e parë, duke kontribuar me 20 pikë, 7 asiste, 6 kërcime dhe plotë 6 vjedhje topash. Erjoni pikët i realizoi nga dyshet ku kishte 7 shënime nga 8 tentime dhe 2 treshe nga 5 tentime. Kjo bëri që basketbollisti i therandasve të jetë larg aloja më e mirë e kësaj xhiroje të Unikes me indeksin e fuqishëm prej +35.

4. Në pozitën e alo-qendrës për xhiron e dytë rradhazi e kemi luiftarakun shkodran të Pejës, Daniel Lekndreaj që ishte njeriu më i dalluar në fitoren e Pejës ndaj Prizrenit me double-double monstruoz, 22 pikë e 16 kërcime, por që shtoi edhe 1 asist e 1 bllokadë. Te pikët, Lekndreaj kishte 6 dyshe nga 11 tentime, 2 treshe nga 3 tentime dhe shtoi 4 realizime nga 5 tentime te gjuajtjet e lira. Për këtë kontribut shkodrani u notua me indeksin e lartë +28, prej më të lartëve këtë xhiro.

5. Në pozitën e qendrës, kësaj radhe vendoset ‘bisha’ e re e Rahovecit, Makol Mawien i cili që në debutim me ‘vreshtarët’ tregoi se çka i pret kundërshtarët me double-double të frikshëm prej 19 pikëve e 17 kërcime, por kishte edhe 1 asist, 2 bllokada e 1 vjedhje topi në fitoren e Rahovecit ndaj Vllaznisë së Shkodrës. Makol nga dyshet kishte 8 realizime nga 13 tentime dhe kishte 3 gjuajtje të lira nga 4 tentime, për çka mori notën më të lartë nga qendrat plus 30.

______________________________________________________________________

MVP I XHIROS 12 TË LIGËS UNIKE.

ERJON KASTRATI (GOLDEN EAGLE YLLI)

Krejt në fund, epiteti i MVP-së në xhiron e 12-të në Unike pa asnjë mëdyshje të vetme për të dytën xhiro me radhë i takon yllit të Yllit dhe reprezentuesit të Kosovës, Erjon Kastrati.

Me 20 pikë (7 dyshe nga 8 tentime dhe 2 treshe nga 5 tentime), por duke shtuar edhe 7 asiste, 6 kërcime e plotë 6 vjedhje topash dhe me indeksin fe-no-me-nal prej plus 35, Erjoni shpallet MVP në kte xhiro në Ligën Unike.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.