NJË EKIP SOLID PËR ‘VRESHTARËT’, KËRKOJNË STABILIZIMIN SI SKUADËR
Prishtinë(AsistiOnline) – Rahoveci është njëra prej klubeve që viteve të fundit i ka dhënë hijeshi elitës së basketbollit kosovar.
Me një palestër që ia kanë lakmi edhe klubet e tjera, ‘vreshtarët’ prej vitesh janë bërë ‘arrë’ e vështirë për tu thyer edhe pse në stinorin e fundit hasën paksa në probleme.
Megjithatë problemet e edicionit të kaluar, Rahoveci synon që ti lërë anash me ish-basketbollistin e madh shqiptar nga Shkupi, Mujo Thaçi të cilin e ka angazhuar me qëllimin e vetëm t’ia kthejë dinjitetin e ekipit të frikshëm që nuk e pati vjet.
Pas një karriere të bujshme si lojtar, sidomos me KB Dukagjinin (Pejë), por duke luajtur edhe për Prishtinën, Mabetexin, Trepçën, Dritën, në Maqedoni për MZT Skopjen, Vardarin dhe Lirinë (Maqedoni), Alba Fehervarin (Hungari), Stjarnanin në Islandë dhe Ormansporin në Turqi dhe me rastin e pensionimit, shqiptari nga Shkupi e kishte filluar karrierën si trajner, ku pa asnjë mëdyshje shihet si prej shpresave më të mëdha shqiptare në zejen e trajnerit. Në edicionin 2020/21, Muja u shpall trajneri i vitit në elitën e basketbollit të Gjeorgjisë ku me një skuadër me buxhet shumëfish më të vogël se ekipet tjera, për pak sa nuk kishte shkaktuar senzacionin më të madh ndonjëherë në Gjeorgji, për ta fituar titullin e kampionit. Me skuadrën e Dinamo Tbilisit, Muja nga vendi i shtatë në stinorin e rregullt, kishte arritur deri në gjysmëfinale të ”play off”-it e më pas e kishin zënë vendin e tretë apo medaljen e bronztë. Realisht në Gjeorgji ky ishte një senzacion i paparë, pasi nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një skuadër nga pozita e 7-të arrijë në gjysmëfinale e këtë e kishte bërë Dinamo Tbilisi nën-drejtimin e Mujo Thaçit.
Muja është emëruar në krye të shtabit teknik të Rahovecit, prej nga më pas janë vazhduar disa kontrata të basketbollistëve si rasti i Musab Malës, Edmond Kryeziut dhe Visar Ejupit e është rikthyer ish-kapiteni Bardh Rexha që ishte prej individëve kryesorë në rikthimin e Vëllaznimit në elitë.
Te Rahoveci janë transferuar edhe katër basketbollistë të huaj
Jahii Carson. Lojtari në fjalë luan në pozitën e plejmejkerit dhe ka përvojë të konsiderueshme si basketbollist nëpër shumë liga botërore. 30 vjeçari te Rahoveci vije nga elita belge me Limburgun ku kishte luajtur 7.6 pikë, 3 asiste e 2.3 kërcime për ndeshje. Në të kaluarën ky basketbollist ka luajtur edhe në Australi (Illawarra Hawks), Metalac (Serbi), Adanaspor (Turqi), Island Storm e Moncton (Kanada), Koroivos (Greqi), Pitesti (Rumani), APOEL (Qipro) dhe Þorlákshafnar (Islandë).
Rasheed Worrell. I gjatë 203 cm dhe te Rahoveci vije pas përvojës me skuadrën e Tromsos në Norvegji, atje ku luajti me double-double prej 16 pikë dhe 10.9 kërcime për ndeshje. Për Worrell është ky viti i 4-të që paraqitet në Evropë, derisa më herët ka luajtur edhe në Britani të madhe, Spanjë dhe normalisht në Amerikë, atje prej nga e ka prejardhjen.
Chris Seeley. Lojtari në fjalë është i gjatë 203 centimetra dhe luan në pozitat 4/5, ku në dy edicionet e fundit ishte paraqitur me kolegjin amerikan ”California State University” me mesatare prej 14.5 pikëve e 7.9 kërcimeve për ndeshje. Për Seeley, Rahoveci do të jetë aventura e parë jashtë SHBA-ve.
Si dhe transferi i fundit, Devin Johnson i cili luan në pozitat 2/3. Për Johnson është ky viti i 4-të që paraqitet në Evropë, derisa paraqitjet paraprake i pati në ligat elite të Bjellorusisë, Lituanisë dhe së fundmi elitën çeke tek BK Ostrava në vetëm 3 ndeshje. Johnson në Kanada është paraqitur me kolegjin e Universitetit të Torontos ku mesataren e pikëve për ndeshje e kishte 20 pikë.
Nga ekipi janë larguar, Fisnik Rugova e Arion Balluku, si dhe lojtarët e huaj, TJ Dunans, Makol Mawien e Reggie Jones.
Rahoveci sivjet do të bëjë gara vetëm në Kosovë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.