Basketboll

Qyteti i Prizrenit me finalistin e dytë nga tri garat e Kupës

Prishtinë(AsistiOnline) – New Basketi nga Prizreni është skuadra e dytë finaliste e Kupës së Kosovës e vlefshme për Ligën e parë te meshkujt.

Ekipi bardhezi është kualifikuar në finale pas fitores së sotme ndaj Dritës me rezultat 109-87.

Me përjashtim të çerekut të parë i cili u mbyll baraz (28-28), periodat e tjera të lojës i takuan pothuajse krejtësisht ekipit prizrenas që fitoi me meritë.

Amerikani, Jashawn Brooks me double-double prej plotë 50 pikëve e 10 kërcimeve, ishte individi më i dalluar te New Basketi sonte, gjersa u ndihmua edhe nga Hajriz Hazeri me shifrat magjike triple-double (19pk, 16ast, 10 krc), si dhe Drini Rexha e Leurit Morina me nga 12 sosh.

Te Drita me lojë të mirë u dalluan, Nart Llapashtica me 27 pikë e 10 kërcime dhe Laurant Ibrahimi me 14 sosh.

Me këtë fitore, New Basketi arrin finalen e Kupës së Ligës së parë, atje ku do të takohet me Borën nesër me fillim nga ora 14:00.

Të kujtojmë se New Basketi bëhet ekipi i dytë nga Prizreni që arrin finalen në këtë event të nisur dje nga FBK-ja, pasi para dy ditëve edhe Bashkimi në konkurencën e femrave u inkuadrua në finalen e madhe, gjersa ka mundësi që edhe Bashkimin e meshkujve ta shohim në finale, në rast se kalon pengesat çerekfinale e gjysmëfinale.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.