Basketboll

Pesëshja më e mirë dhe MVP nga xhiro 24 e Superligës së Kosovës

Prishtinë(AsistiOnline) – Ju sjellim pesëshen më të mirë të xhiros 24 në elitën e basketbollit kosovar.

1. Plejmejkeri i javës 24 në elitën e basketbollit kosovar shpallet, Jan Palokaj i Sigal Prishtinës i cili në duelin kundër Vëllaznimit luajti në pozitën e organizuesit dhe përkundër faktit se shënoi vetëm 9 pikë, Jani realizoi 11 kërcime dhe bëri 6 asistime duke e marr notën më të lartë për një plejmejker në këtë javë prej +23.

2. Fundori më i mirë realizues këtë xhiro është Cameron Willimas i Ponte Prizrenit i cili në derbin prizrenas ndaj Bashkimit luajti me 19 pikë, 7 kërcime e 4 asistime, duke qenë fantastik nga loja për dyshe, prej nga qëlloi 7 nga 9 tentimet. Për këtë performancë Williams u vlerësua me indeksin +22 si fundori më i mirë i javës.

3. Alo më e mirë e xhiros 24, pa asnjë dyshim ishte Drilon Hajrizi i Trepçës i cili edhe njëherë ishte lider i skuadrës së tij, kësaj here në fitore shumë më të vështirë se sa është pritur ndaj Rahovecit. Lojtari më i dobishëm i mitrovicasve sivjet, edhe një herë ishte lider dhe kontribuoi me 15 pikë, 5 kërcime e 4 asistime duke e vjedh një top dhe për këtë paraqitje u notua me indeks +20, më të lartin në pozitën e alos.

4. Në pozitën e alo qendrës, këtë javë e kemi Daniel Lekndreajn e Bashkimit, njeriu më të merituar për rikthimin senzacional dhe fitoren e portokallinjëve në derbin e Prizrenit, pasi dominoi absolutisht nën-kosha dhe me double double fenomenal, ai ishte hero i duelit. Luftëtari shkodran luajti me 21 pikë e 14 kërcime dhe shtoi 5 asistime. Lekndreaj ishte gati perfekt për dy pikë dhe shënoi 7 nga 9 tentimet, kurse në mbrojtje ishte i pakalueshëm me 3 topa të rrëmbyer dhe 1 bllokadë. Për këtë shfaqje të mrekullueshme, basketbollisti shkodran u vlerësua me indeksin kozmik prej +40.

5. Dhe në pozitën e qendrës, këtë javë për herë të parë vjen qendra e re e Sigal Prishtinës, Nate Grimes. Shtatlarti që e luajti ndeshjen e dytë me bardh e kaltërit në Prince Caffe Superligë, pati performancë fantastike me 17 pikë dhe saktësi prej 80% për dyshe duke realizuar 8 nga 10 tentimet. Grimes kontriboi edhe me 3 topa të vjedhur e 2 asistime dhe për këtë performancë u vlerësua me indeksin prej +23, më të lartin për një qendër.

MVP I XHIROS 24 – DANIEL LEKNDREAJ (BASHKIMI)

Dilema se kush ishte lojtari më i mirë i xhiros 24, nuk pati fare sepse luftëtari shkodran i Bashkimit, Daniel Lekndreaj ishte jo vetëm hero i ndeshjes,, por edhe fuqia më dominuese me double double fantastike prej 21 pikëve e 14 kërcimeve, duke shtuar 5 asistime, rrëmbyer 3 topa dhe bërë 1 bllokadë, për çka u vlerësua me indeksin fantastik prej +40 dhe me plotë meritë shpallet MVP i Javës në ASIST.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.