Basketboll

Prishtina me fitore rutinore ndaj Rahovecit, afër sigurimit të liderit në tabelë

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina është afër sigurimit të kryesimit të tabelës gjatë stinorit të rregullt në elitën e basketbollit kosovar.

Prishtinasit që sonte triumfuan ndaj Rahovecit 97-75, ju duhet vetëm edhe një fitore në xhiron e fundit, për tu konfirmuar si kampionë të stinorit të rregullt.

Bardh e kaltërit sonte filluan ndeshjen pak më mirë se Rahoveci duke e fituar çerekun e parë 27-19, derisa i dyti u luajt baraz (19-19) e ekipet shkuan në pushim mes pjesëve me avantazhin e vendasve 46-38.

Në pjesën e dytë, prishtinasit gradualisht e shtrinë edhe më shumë ndikimin e tyre për ti fituar dy periodat vendimtare (24-22, 27-15) dhe kështu siguruan fitoren e radhës.

Both Gach ishte lojtari më efikas te Prishtina për nga pikët sonte me 20 sosh, derisa mori ndihmë edhe nga Nate Grimes me 18, Dardan Berisha me 13, Derrick Wilson me 12 dhe Rezart Mehmedi me 11 sosh.

Te Rahoveci me lojë të mirë u dalluan, Igor Chumakov me 22 pikë e Jack Pagenkopf me 19 sosh.

Pas 27 xhirove, Prishtina mbetet e para me 20 fitore e 6 humbje, derisa Rahoveci pësoi humbjen e 23-të, karshi 4 fitoreve dhe praktikisht ka rënë nga liga.

Në xhiron e fundit, Sigal Prishtina i shkon Ponte Prizrenit e Rahoveci e pret Pejën.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.