Basketboll

ASISTI 534: Trepça – Peja Historia e finaleve 1993, 1994, 2000 dhe sivjet

Analiza dhe përmbledhja e dy ndeshjeve të para finale dhe evokimi i historisë, si ishte dikur rivaliteti-rivalitet dhe shoqëria-shoqëri me ikonat e këtyre dy skuadrave Naim Hajrizi, Bujar Loci, Eroll Pepiqi dhe Arianit Shala

ASISTI 534 sonte sjell analizën e detajuar, statistikat speciale dhe përmbledhjen e çasteve më interesante nga dy ndeshjet e para finale ndërmjet Trepçës dhe Pejës ku seria është baras (1:1).

Ambiente fantastike dhe spektakël në të dyja palestrat, në Minatori të mërkurën e kaluar dhe të dielën në Karagaç, atomsferë çfarë në ndeshjet e finaleve të kampionateve shtetërore rallë shihen në rajon dhe Evropë, përveç në Euroleague.

Megjithatë, pjesa qendrore e emisionit sonte i dedikohet historisë së përballjeve finale midis dy ndër skuadrave më të suksesshme të basketbollit kosovar, Pejës dhe Trepçës që nga pavarësismi i basketbollit në vitin 1991/92.

Herën e parë u takuan para 30 viteve në finalen e edicionit 1992/93 dhe Trepça e fitoi finalen e parë. Një vit më vonë, në edicionin 1993/94 këto dy skuadra përsëri u ndeshën në finale dhe kësaj here Peja ishte ajo që triumfoi duke u shpall kampione e vitit 1994 kurse herën e fundit që u ndeshën për titull këto dy skuadra ishte në edicionin e parë të pasluftës, 1999/2000 dhe asokohe pati triumfuar Trepça.

Finalja e sivjetme midis Trepçës e Pejës është e para pas plot 23 vjetëve dhe për adhuruesit e basketbollit që janë më të rinj dhe kanë lindur gjatë të 90’tave e sidomos për gjeneratat e reja që kanë lindur gjatë të 2000-tave dhe nuk ju kujtohen këto finale, sonte ASISTI ka ftuar mysafirë shumë special dhe njerëz të dashur që dikur ishin rival në parket kurse, sot shok dhe miq të shkëlqyeshëm, personalitete të basketbollit që ishin akterë të atyre tri finaleve.

Mysafirë special sonte në ASIST-IN 534 janë ikonat e dy klubeve dhe kapitenët legjendarë të Trepçës e Pejës, Naim Hajrizi e Bujar Loci si dhe lojtarët e mirënjohur që dikur ishin idhuj të qyteteve të tyre, Eroll Pepiqi dhe Arianit Shala të cilët evokojnë ato finale dhe rrëfejnë rrëfime për të cilat gjeneratat e reja kurrë nuk kanë dëgjuar.

Dikur rivalë të mëdhenj dhe sot miq të shkëlqyeshëm rrëfejnë se si ishte të luhej basketbolli gjatë viteve të 90’ta, kur luhej për të mbijetuar dhe në kushte të okupimit si mjet i rezistencës popullore.

  • Si zhvilloheshin ndeshjet dhe kampionatet?
  • Kush ishin yjet e asaj kohe?
  • Si i kujtojnë finalet e viteve 1993 dhe 1994 kur Trepça dhe Peja fituan nga një herë secila?
  • Cilat ishin momentet vendimtare dhe kush ishin heronjtë e asaj kohe?
  • Cila skuadër e dominoi basketbollin gjatë viteve të 90’ta?
  • Për kë luajti treshja mitrovicase Bekim Maxhuni, Eroll Pepiqi dhe Artan Mehmeti?

Moment i prekshëm kur Eroll Pepiqi i preku dhe i përloti të gjithë në studio!

Ikonat e basketbollit kosovar flasin për atë se si shkonin së bashku para lojës dhe pas lojës e vazhdonin shoqërimin përderisa rivaliteti i madh mbeste në fushë.

Këto dhe shuuuumë rrëfime interesante në njërën prej bisedave më interesante dhe emocionuese që nga rikthimi i ASISTIT në vitin 2018,

Krejt në fund vjen ajka dhe top-aksionet nga dy finalet midis Trepçës dhe Pejës.

Sonte nga ora 21:00 në Sport 1 në Artmotion dhe 30 minuta pas mesnate në Klan Kosova, ASISTI 534 me Agon Fehmiun dhe Ulpiana Emrën.

Komentet janë të mbyllura.