Basketboll

E treta e vërteta? Ilir Selmani rikthehet te Trepça kësaj radhe në luftën për titull

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Trepçës sot njoftoi për një vendim tejet befasues të trajnerit të deritanishëm, Engin Gençoglu për tu larguar nga drejtimi i ekipit.

Në po të njejtin njoftim, klubi ‘xehtar’ bëri me dije se ekipin deri në fund të edicionit do ta drejtojë, mitrovicasi Ilir Selmani.

Ish-basketbollisti mitrovicas ka kaluar shumë sfida me klubin e zemrës, aty ku u rrit si lojtar dhe dha gjithçka për fanelën që askush më mirë se ai, nuk e di se sa peshon.

Të kujtojmë se Selmani e drejtoi Trepçën kryesisht gjithmonë në momente të vështira, atëherë kur klubi luftonte për mes të tabelës dhe me pak fonde, për shkak të gjendjes së rënduar financiare, pasi ”Minatori” ishte në rinovim dhe përkrahja ndaj klubit ishte e vogël.

Iliri e kishte drejtuar Trepçën fillimisht gjatë sezonit 2011/12, madje me klubin mitrovicas në atë kohë ishte shpallur kampion vjeshtor e një xhiro para play off-it ishte zëvendësuar nga Neven Plantak, i cili atë kohë me Trepçën ishte shpallur kampion i sezonit.

Historia e Ilirit me Trepçën vazhdoi gjatë sezoneve 2017/19, atëherë kur Trepça kishte pozitë të rënduar financiare dhe luante për mesin e tabelës e mezi inkuadrohej në play off.

Tash, kur jemi një ditë para ndeshjes së tretë të serisë finale për titull, Iliri merr drejtimin e Trepçës me një mision të veçantë dhe me shumë zgjidhje në roster, kërkon rikthimin e titullit të kampionit të Kosovës në Mitrovicë, se sa do t’ia arrijë kjo mbetet të shihet.

Ajo që dihet, është se basketbollit të Kosovës i duhen më shumë trajnera vendorë të cilët do të ishin në gjendje të udhëheqin nivele të larta e tashmë është koha ta dëshmojnë veten.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.