Basketboll

Denver Nuggets shumë afër finales, thellon avantazhin ndaj Lakers

Prishtinë(AsistiOnline) – Denver Nuggets është afër kalimit në finalen e madhe të NBA-së.

Kjo pasiqë gjatë mesnatës triumfoi edhe në ndeshjen e tretë me radhë ndaj LA Lakers me rezultat 108-119.

Fillimi i ndeshjes i takoi Nuggets që fitoi thellë çerekun e parë (20-32), derisa Lakers e neutralizoi shpejtë këtë minus për ta fituar çerekun e dytë (35-26), derisa pjesa e parë u mbyll 55-58.

Në pjesën e dytë, loja e ngushtë vazhdoi edhe në çerekun e tretë (27-26), por dallimi u bë në periodën e fundit (26-35) në të cilën dominoi Denveri dhe e fitoi ndeshjen.

Jamal Murray me 37 pikë, 7 kërcime e 6 asiste, ishte figura kryesore e Nuggets në këtë triumf me shumë vlerë, gjersa u ndihmua edhe nga Nikola Jokic me 24 pikë.

Te Lakers, Anthony Davis realizoi double-double me 28 pikë e 18 kërcime dhe LeBron James shtoi 23 pikë.

Me këtë fitore, Denveri thelloi avantazhin e serisë finale të Konferencës Perëndimore ndaj LA Lakers në 3-0, derisa i duhet vetëm edhe një triumf për të arritur finalen e përgjithshme.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.