Basketboll

PARAQITJET E KOSOVARËVE NËPËR LIGAT EVROPIANE KËTË JAVË

Prishtinë(AsistiOnline) – AsistiOnline.com ju sjellë ekskluzivisht një përmbledhje të paraqitjeve të lojtarëve kosovarë apo me prejardhje kosovare nëpër ligat e huaja Evropiane gjatë këtij vikendi.

E fillojmë me dy lojtarët e Përfaqësueses kosovare, Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati.

Gëzim Morina që luan me ekipin e Hopsi Polzeza në elitën e basketbollit sllovenë, këtë xhiro për 25 minuta lojë, ka realizuar double, double(12pk, 11 krc).

Ndërsa, Erjon Kastrati me ekipin e tij, Egis Kormend në elitën hungareze, për 22 minuta lojë ka realizuar 7 pikë dhe 1 kërcim.

Performancë të shkëlqyer edhe në këtë javë ka arritur basketbollisti me prejardhje kosovare, Edon Maxhuni që luan në Spanjë me Gran Canarian. Maxhuni me Gran Canaria B, ka qenë lojtari më efikas i ekipit të tij, ku për 24 minuta lojë ka arritur 17 pikë, 5 kërcime si dhe ka shtuar 5 asistime.

Performancë të mirë në këtë xhiro ka shfaqur edhe basketbollisti tjetër me prejardhje kosovare, Kenan Spahiu që luan në Superligën Spanjolle me ekipin e Betisit. Spahiu ka qenë ndër lojtarët më efikas në humbjen e ngushtë të ekipit të tij, duke realizuar 12 pikë, 2 asistime e 1 kërcim.

Një Basketbollist tjetër me prejardhje kosovare, 19 vjeçari Jan Palokaj që ka lindur në Kroaci por edhe ka luajtur për grupmoshat e reja të Kroacisë dhe sivjet po luan me ekipin e parë të Zadarit në elitën e Basketbollit të Kroacisë. Palokaj këtë vikend me Zadarin ka luajtur për 7 minuta, duke realizuar 2 pikë.

Një lojtar tjetër me prejardhje kosovare, është edhe Arber Berisha që luan me Gaziantepin në Superligën e Turqisë, 22 vjeçari këtë xhiro nuk ka pasur fatkeqësisht fare minutazhë nga trajneri.

Në anën tjetër, qendra-gjigante e Përfaqësueses së Kosovës, Lis Shoshi mbetet ende i lënduar dhe nuk e ka zhvilluar ende asnjë ndeshje me ekipin e ri nga Superliga Gjermane, S.Olivier Wurzburg.

Kjo listë e botuar ekskluzivisht nga AsistiOnline.com vlen vetëm për lojtarët seniorë që po luajnë me ekipet e tyre, të dhënat e lojtarëve janë nga java e fundit e zhvilluar dje e pardje.

Nëse keni informacione për lojtarë të tjerë që paraqiten me ekipe të ndryshme në Evropë dhe Botë, lirisht na kontaktoni në mesazhe dhe ne do të paraqesim informacione të përjavshme edhe për ta.

Komentet janë të mbyllura.