Basketboll

TRESHET E MAXHUNIT DHE MARKKANENIT ELIMINUAN KROACINË

FIBA KUPA E BOTËS 2023 – KUALIFIKIMET

Kroacia – Finlanda 79:81 ishte rezultati final i ndeshjes së fundit kualifikuese në Grupin C të kualifikimeve për Botërorin 2023 me çka finlandezët ecin tutje si lider të grupit kurse kroatët e udhëhequr nga ish selektori i Kosovës dhe trajneri i Sigal Prishtinës, Damir Mullaomeroviqi u eliminuan në mënyrë dramatike.

Finlanda e udhëhequr nga NBA lojtari Lauri Markkanen dhe plejmejkeri fenomenal Edon Maxhuni  gjatë pjesës së parë vazhdimisht ishin në plus dyshifror kurse pjesën e parë e mbyllën me 9 pikë epërsi (34:43).Mirëpo në vazhdim ishte NBA tandemi kroat, qendra Ivica Zubac dhe Bogdan Bogdanoviq ai i cili shpërtheu dhe arriti që minusin maksimal prej 12 pikëve ta shndërron në epërsinë maksimale prej plus 8, pas shënimit me horok të qendrës Zubac  (78:70) ndërsa kishin mbetur 2 minuta e 6 sekonda lojë.

Kur pritej që kroatët ta ruajnë këtë epërsi dhe ta fitojnë duelin, ndodhi e kundërta dhe mysafirët realizuan seri të stuhishme prej 11:1 kurse kroatëve duart pothuajse ju “betonuan” dhe ataa në këto 126 sekondat e fundit huqin të dy tentimet për treshe, dy tentimet për dyshe dhe nga 8 gjuajtje të lira qëlluan vetëm 1 duke pësuar disfatë dramatike , të dhimbshme dhe eliminuese.

Serinë e stuhishme të finlandezëve e udhëhoqi plejmejkeri maestral Edon Maxhuni i cili luajti me lëndimin e nyjës gjatë tërë pjesës së dytë ( u lëndua në çerekun e tretë) dhe me asistimet e tij i mundësoj aksionet fantastike kurse serinë e shënimeve e nisi aloja Seppala me treshe (78-73; 01:50 min.) për ta vazhduar Valtonen me dy gjuajtje të lira (78-74/75; 00:49 min).

Ndërkohë , Salin i Finlandës shkaktoi faul josportiv ndaj Bogdanoviqit kur kishin mbetur 46 sekonda lojë por Bogdanoviq realizoj një nga dy gjuajtjet e lira kurse pas rivënies së topit ai dhe Zubac huqin secili nga një tentim nga loja kurse nga ana tjetër në skenë doli Edon Maxhuni fantastik i cili i krijoj vetës situatën dhe qëlloi treshen e cila afroi rezultatin në minimum 79:78 kur kishin mbetur edhe 23 sekonda.

Në sulmin e radhës, Edoni menjëherë fauloi Gnjidiqin e Kroacisë i cili sërish huqi të dy gjuajtjet e lira kurse nga ana tjetër Markkanen bombardoi për treshen e dytë rresht me të cilën finlandezët kaluan në epërsi (79:81) dhe detyruan selektorin Mullaomeroviq të kërkon time-out ndërsa kishin mbetur vetëm edhe 4 sekonda lojë. Me tu kthyer , Bogdanoviqi tentoi për treshe dhe huqi kurse qendra Zubac kërceu në sulm dhe u falua nga Markkanen. Zubac kishte dy gjuajte të lira dhe 10 të qindtat kohë së paku për të barazuar por ai huqi të dyja penalet dhe kroatët jo vetëm se humbën duelin por edhe u eliminuan nga Botërori 2023.

Më i merituari për këtë fitore të Finlandës ishte Lauri Markkanen me 19 pikë, prej tyre 4 treshe dhe shtoi  7 kërcime kurse Edon Maxhuni që luajti i lënduar gati 20 minuta kontribuoi me 7 pikë dhe ishte asistuesi më i mirë i skuadrës me 5 topa të shpërndarë pa e humbur asnjë top dhe duke realizuar edhe 2 kërcime.

Te Kroacia më i miri ishte pikërisht fytyra tragjike Ivica Zubac me 21 pikë, 8 kërcime dhe 3 bllokada por kjo nuk e shpëtoi Kroacinë nga eliminimi .

Finlanda me 5 fitore e 1 humbje kalon si lider në Rrethin e dytë të kualifikimeve për Botërorin 2023; Sllovenia përndryshe kampione aktuale e Evropës kalon si e dyta me 4 fitore dhe 2 humbje; Suedia është e treta me 2 fitore e 4 humbje kurse kroatët janë të fundit dhe kualifikimet i mbyllën në pozitën e fundit me vetëm 1 fitore dhe 5 humbje.

Kualifikimet për Botërorin 2023 tash vazhdojnë me rrethine dytë ku nga tri skuadra të para nga secili grup formojnë katër grupe të reja prej 24 ekipeve dhe atje barten rezultatet e ndeshjeve nga Rrethi i Parë kurse zhvillohen vetëm ndeshjet me skuadrat nga grupi tjetër i bashkuar.

A dhe B krijojnë grupin I ; C dhe D krijojnë grupin J; E dhe F krijojnë grupin K; si dhe G dhe H krijojnë grupin L.

Kështu, Edon Maxhuni me Finlandën do të jenë në grupin J

  1. Gjermania       3   1     +49     7
  2. Finlanda          3   1     +28     7
  3. Sllovenia         2   2     +24     6
  4. Izrael              2   2     +24     6
  5. Suedia            1   3      -15     5
  6. Estonia           1   3      -55     5

Ndeshjen e parë Finlanda e zhvillon kundër Izraelit në Finlandë me 25 Gusht ndërsa duhet theksuar se tri Dritaret e ardhshme kualifikuese zhvillohen në këto data

  • Dritarja 4 me 22-30 Gusht, 2022 ; Dritarja 5 me 7-15 Nëntor, 2022; si dhe Dritarja 6 me 20-28 Shkurt 2023

Komentet janë të mbyllura.